Kosova

Osmani pranon çmimin “M100 Media Award”, në Gjermani


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten, është nderuar me çmimin M100 Media Award, çmim që u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave evropiane.

Para pranimit të çmimit, Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, tha se “ky çmim është inkurajim për vazhdimin e rrugës përpara, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë”.

“Në Gjermani, në shtetin tonë mik dhe në shtetin ku e kemi mërgatën tonë më të madhe, për ta pranuar Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë”, shkroi ajo.

Gjatë një fjalimi pas ceremonisë, Osmani potencoi “se ky çmim nuk është vetëm për të”, por për popullin e Kosovës që ka luftuar dhe që vazhdon të luftojë me vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur liritë e fituara me vështirësi.

Ajo tutje theksoi se përfaqëson një Republikë që është bërë një shembull i ndritshëm i asaj që demokracia mund të arrijë.

“M100 Media Award” i është ndarë presidentes Osmani nga bordi këshilldhënës i “M100 Sanssouci Colloquium”, një konferencë kjo ndërkombëtare e gazetarëve që mbahet çdo vit në Postdam të Gjermanisë, nga viti 2005.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore