Lajme

Osmani përshëndet marrëveshjen për të pagjeturit: Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur miratimin e deklaratës për personat e pagjetur në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një deklarate zyrtare ajo tha se “fati i të zhdukurve me forcë ka qenë për shumë kohë një plagë e hapur në shoqërinë tonë”.

“Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, që ishin zhdukur me forcë nga regjimi i Millosheviç-it dhe nëpërmjet një gjenocidi dhe krimeve të luftës të sponzorizuara nga shteti, ka qenë për më shumë se dy dekada një barrë e rëndë për zemrat e tyre dhe për të gjithë shtetin”, tha Osmani.

Ndërkaq, e para vendit potencoi se nga Serbia “kanë mohuar në mënyrë johumane drejtësinë dhe paqen”.

“Shpresojmë që Deklarata e dakorduar sot në Bruksel do të hapë rrugën për pranimin e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment i çlirimit për familjet që kanë kaluar nëpër dhimbje të pashpjegueshme”.

Osmani nënvizoi se kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm “dhe sa i përket kësaj, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori për faqe të zezë”.

Ndryshe, këtë të marte është publikuar nga Bashkimi Evropian deklarata e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe tashmë është bërë e qartë se Kosova ka hequr dorë nga termi “persona të zhdukur me dhunë”, term që njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmes së cilës terminologji familjarët e viktimave do të mund të kërkonin dëmshpërblim.

Marrëveshja iu referohet personave të zhdukur në luftën e fundit vetëm si Persona të Pagjetur, përveç në një vend ku thuhet “personat e zhdukur me forcë” që në anglisht është “forcibly disappeared”, çka përbën dallim nga sa ka dashur Kosova të jetë që ishte “enforced disappearance”.

Në fakt, termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Deklarata zyrtare e publikuar nga BE, tashmë qartëson se terminologjia zyrtare do të jetë Persona të Pagjetur.

Kurti ka hequr dorë nga termi “të zhdukur me dhunë”: Kjo është deklarata e plotë e Marrëveshjes Kosovë – Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore