Lajme

Osmani pas dënimit për Krivaçën: Dhuna s’do të tolerohet, femicidi do të ndalet


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas dënimit ndaj Dardan Krivaqës me burgim të përjetshëm dhe Arbër Sejdiu, i cili është dënuar me 15 vjet burg.

Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se ky duhet të jetë mesazh për të gjithë ata që e zgjedhin dhunën.

“Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ashtu siç u dënua sot vrasësi e torturuesi i Marigona Osmanit. Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet”.

Ajo ka shtuar se, “dhuna nuk do të tolerohet” dhe se “femicidi do të ndalet”.

Gjykata në Ferizaj, Dardan Krivaqën, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.

Kurse, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim.

Familjarët e Osmanit mirëpriten vendimin me duartrokitje ndërsa deklaruan, “bravo për këtë qen, i mjerë”, në momentin kur gjykatësi shpalli vendimin për Krivaçën.

Duke dalë nga seanca nëna e Marigona Osmanit iu drejtua Krivaçës duke i thënë, “ishalla kurrë dritë nuk sheh, ma ke mbytë vajzën 18 vjeç”.

Krivaqa nga Gjykata është liruar nga akuza për veprën “dhunim”, ndërsa Sejdiu është liruar nga aktakuza për veprën “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhumini”, pasi sipas gjykatës “me asnjë provë të vetëm nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale”.

Sipas aktakuzës, është përshkruar se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike.

Ndërsa vdekja është shkaktuar drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë.

Të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore