Kosova

Osmani nuk takohet me Lajçak-un


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do ta pret në takim, të martën, të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili po realizon një vizitë të paparalajmëruar në Kosovës më 18 qershor.

Sipas Këshilltarit për Media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, takimi me Osmanit dhe Lajçak-ut, nuk do të ndodhë për arsye të agjendës së presidentes.

“Presidentja Osmani nuk ka takim me z.Lajçak, shkaku i mospërputhjes me agjendën e paracaktuar të Presidentes”, ka thënë Kupina për Ekonomia Online.

Në Kosovë diplomati sllovak pritet të takohet vetëm me zëvendëskryeministrin e Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi të martën në një komunikatë se takimi mes Bislimit e Lajçakut pritet të nis në orën 18:00. Megjithatë, nuk është bërë e ditur arsyeja e vizitës së paparalajmëruar të diplomatit sllovak në Prishtinë.

Paraprakisht, ai takoi kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç, në kuadër të një konference ndërkombëtare në Athinë të Greqisë.

Lajçak, ka bërë të ditur se i është kërkuar të vazhdojë punën si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi deri në momentin kur do të nis punën si ambasadori i Unionit në Zvicër.

Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën serbe me seli në Kosovë, Kosovo Online.

“Më është kërkuar të qëndroj edhe pak në këtë biznes, ndaj puna ime vazhdon”, ka potencuar ai.

Lajçak në prill të këtij viti u emëruar si ambasador i Zvicrës në BE në kuadër të rotacionit të madh vjeshtor në Union. Diplomati sllovak pritet të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bernë, më 1 shtator.

Në intervistë për Kosovo Online, Lajçak ka njoftuar se në Kosovë do të qëndrojë “për të diskutuar për hapat e ardhshme dhe programin e punës”.

“Fokusi im është zhbllokimi i zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Jam i bindur se Marrëveshja do të zbatohet, por si dhe kur, këto janë pyetje kyçe që vetëm palët mund t’i përgjigjen – sigurisht që do të vazhdoj të punoj deri në fund të mandatit tim për ta realizuar atë”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore