Kosova

Osmani në takim me zyrtaren e lartë amerikane, diskutojnë për përfshirjen e grave në proceset e paqes


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në takim me zyrtaren e lartë të Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Çështje Globale të Grave (S/GËI), Katrina Fotovat.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me zyrtaren e lartë të Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Çështje Globale të Grave (S/GËI), Katrina Fotovat me të cilën ka diskutuar për Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës nga e cila është thënë se kanë pasur temë “Ndërtimin e Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, që po organizohet për herë të parë dhe përbën një nga zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në takim me zyrtaren e lartë të Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Çështje Globale të Grave (S/GËI), Katrina Fotovat.

“Gratë e Kosovës janë shembulli më i mirë i angazhimit rreth kësaj agjende. Ato shquhen posaçërisht për angazhimin aktiv drejt lehtësimit dhe ballafaqimit me pasojat e luftës dhe drejtësinë tranzicionale”, ka thënë Osmani, njoftoi ZPRK.

Në njoftim theksohet se të dyja palët janë dakorduar për bashkëpunim dhe koordinim të rregullt drejt realizimit të projekteve të përbashkëta drejt avancimit dhe zbatimit të Agjendës GPS.

“Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se me përfshirjen e grave në proceset e paqes dhe sigurisë, rriten shanset për paqe të qëndrueshme”.

Ndryshe, Katrina Fotovat është aktualisht Zyrtare e Lartë e Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Çështjet Globale të Grave (S/GWI), ku ajo drejton një ekip ekspertësh gjinorë që promovojnë përpjekjet për barazi gjinore, duke përfshirë mbështetjen e grave, paqes dhe sigurisë, luftimi i ekstremizmit të dhunshëm, promovimi i ekonomisë së grave .

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore