Kosova

Osmani në takim me Melonin potencon rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e Kosovës


Giorgia Meloni dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka takuar kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në margjinat e Samitit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Në takim me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, potencova rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e vendit tonë në të gjitha etapat”, ka shkruar Osmani në platformën e saj sociale, Facebook.

Sipas Osmani Kosova llogarit në lidershipin e kryeministres italiane për avancimin e rrugës së Kosovës drejtë integrimeve evropiane.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe Meloni.

Sipas saj takimi ka ofruar mundësinë për të bërë një pasqyrë të dialogut e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë për media pas Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, nga Brukseli ka thënë se Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar zbatimi i obligimeve që kanë marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Unioni, derisa marrëveshjen e Ohrit e ka konsideruar si hap të rëndësishëm që e kanë bërë palët.

“Si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është rruga përpara dhe përmbushja e angazhimeve në kuadër të dialogut të BE-së. Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet dhe e mirëpres shumë uljen e tensioneve në Veri të Kosovës në veçanti për rrymën dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme komunale”, ka deklaruar Von der Leyen.

Meloni e Osmani bëjnë pasqyrë të dialogut Kosovë-Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore