Lajme

Osmani në New York takon përfaqësues të vendeve partnere: Kosova krenare që ka kaq shumë miq


Foto: Vjosa Osmani

Pas takimit dhe përballjes që pati me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me përfaqësues të vendeve partnere.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Osmani, përmes një postimi në platformën X, ku tha se shteti që ajo udhëheqë është krenar që ka miq në krah të tij.

“E lumtur të takohem me përfaqësues nga vendet partnere pas takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Një mundësi e shkëlqyer për të festuar hapat e vazhdueshëm të Kosovës dhe për të diskutuar për rrugën tonë të palëkundur drejt institucioneve euroatlantike. Kosova është krenare që ka kaq shumë miq dhe aleatë në krah të saj”, shkroi Osmani.

Çka ndodhi në OKB?

Përballje e ashpër është zhvilluar mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Siç ndodh zakonisht, Vuçiç e nisi fjalimin duke propaganduar gjoja se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e “përsekuton” komunitetin serb në Kosovë.

“Komuniteti serb s’është në gjendje t’i pranojë pagat, mëditjet e pensionet… shtypja ndaj serbëve është përforcuar nga sesioni i fundit. 16 sulme të fundit, disa me armë në Graçanicë”, pretendoi Vuçiç.

“Të punësuarit (serbë) në institucione po përballen me regjimin e Albin Kurtit, diskriminim i shkallës së lartë. E kjo për arsyet se s’janë shqiptarë e s’janë të përfshirë në një agjendë për Shqipërinë e madhe”, ka shtuar ai.

Në vazhdën e propagandës, kreu serb potencoi se ndaj serbëve të Kosovës vazhdojnë “sulmet sistematike” nga autoritetet kosovare, por pa ofruar asnjë provë.

Ai theksoi se veprimet e fundit të autoriteteve në Kosovën krijuan “kushte të padurueshme” për komunitetin serb që përbën shumicën e popullsisë në pjesën Veriore të vendit, derisa përmendi ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Përgjatë adresimit para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai përmendi edhe “premtimet e pa mbajtura” rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, por edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, duke kërkuar që kjo ngjarje të mos bëhet pretekst për “persekutimin” e serbëve.

Gjatë adresimit të tij, pretendoi se rritja e numrit të votuesve shqiptarë u ngrit në mënyrë artificiale para procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në komunat Veriore, prandaj, sipas tij, duhet të kuptohet bojkotimi i votimit të 21 prillit nga Lista Serbe.

Por, kreut të shtetit serb, iu kundërpërgjigj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se akuzat e Vuçiç-it për “dëbimin e serbëve” dhe për çfarëdo keqtrajtimi nga Kosova janë të pavërteta.

“Akuzat e Serbisë për persekutim të serbëve janë të rrejshme dhe të pa baza. Serbëve të Kosovës iu mbrohen të drejtat e tyre. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sigurojnë që gjuha serbe njihet dhe përdoret si gjuhë zyrtare në gjithë Kosovën. Nuk ka pasur asnjë sulm me ndonjë motiv etnik”, potencoi Osmani.

“A ndihet keq për të kaluarën dhe gjenocidin që ka shkaktuar parlamenti i tij?”, ka pyetur Osmani Vuçiç-in, i cili kishte qenë pjesë e regjimit të presidentit fashist serb, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç.

“Viktimat e atij regjimi Vuçiç janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”.

Ajo ka shtuar se shteti serb është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore