Lajme

Osmani në Këshillin e Sigurisë: “Ju lus të gjithëve të mos e harroni fytyrën e vërtetë të Serbisë”


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ballafaquar argumentativisht me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç, argumentet e të cilit i ka quajtur “argumente të shtrembëruara”, për të paraqitur një pamje krejtësisht ndryshe nga ajo që është dhe që ka qenë në realitet.

“Kriminelët në Serbi jo vetëm që i glorifikojnë, por edhe po i rehabilitojnë nga këto institucione aktuale në Serbi”, tha Osmani së pari.

“Zoti Selakoviç po abuzon me fjalimin e tij, po abuzon serbët e Kosovës, shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë komunitetet që jetojnë paqësisht në Kosovë”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se Selakovic flet “për 100 krime të motivuara etnikisht por në fakt e përmend një krim 100 herë, për të arritur tek ai numër”.

“Serbët në Kosovë”, tha Osmani “nuk kanë frikë nga unë, por nga strukturat paralele ilegale serbe, të mirëmbajtura e të financuara, të mbështetura dhe të shndërruara në banda nga Presidenti Vuçiç. Ata po shkelin të gjitha të drejtat. Ata po frikësojnë serbët”.

Ndërsa për dënimin me 2 vjet burg të Ivan Todosijeviç, Osmani tha se nuk është shkelur marrëveshja e Brukselit, pasi ai ka mohuar masakrën e Reçakut në Kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, vend ky që nuk është vend me shumicë serbe.

Ajo tregoi “gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, rehabilitimin dhe glorifikimin e kriminelëve serbë”, dhe tha se “po i njëjti regjim i atëhershëm që kanë urdhëruar vrasjen e të civilëve të pafajshëm në Kosovë”, janë po ky regjim i sotëm në Serbi.

Osmani tha se krerët më të lartë shtetëror të Serbisë së sotme, ishin funksionarët e lartë shtetëror të regjimit të Millosheviçit.

Ajo i replikoi Selakoviçit edhe për kinse sulmet e Kosovës ndaj serbëve, dhe tha se do të bëjmë gjithçka që “serbët ti ruajmë nga këto sulme të sturkturave ilegale serbe”, sepse në Kosovë, tha Osmani “vetëm 0.03% të sulmeve janë të motivuara etnikisht”.

“Sepse”, tha Osmani, “serbët frikësohen nga strukturat paralele kriminale në Serbi, jo nga Kosova”.

“Ju lus të gjithëve të mos e harroni kurrë fytyrën e vërtetë të asaj se çfarë është regjimi serb”, tha Osmani.

“Ndoshta të flas më shumë për të ashtuquajturat sulmet ndaj kishave. Më lejoni të ju citoj KFOR-in ku thotë që këto pesë vitet e fundit nuk ka pasur incidente serioze kundër Manastirit Decanit dhe manastireve tjera në Kosovë. Dhe në fakt Policia e Kosovës është ajo që po i siguron shumicën e këtyre manastireve përvec asaj të Decanit”, iu përgjigj Osmani Selakovicit.

”Kosova ka mbështetur plotësisht themelimin e Zyrave të specializuara. Asnjë vend tjetër në histori të botës ska treguar kaq shumë vendosmëri ndaj ligjit ndërkombëtar. Ae dini pse? Sepse s’kemi asgjë për të fshehur. Ndërsa e gjithë bota e din që NATO ka intervenuar për të ndalur gjenocidin ndaj Kosovës. Kjo është një e vërtetë që nuk mund të rishkruhet”, deklaroi Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se Kosova ka qenë vitkima ndërsa Serbia agresori, dhe kjo gjë është gjë që të gjithë e dinë.

”Mund të vazhdojë pafundësisht të ju tregoj emra të njerëzve, dhe të familjeve të cilat plagët ende i kanë hapur, ku Serbia ende flet mbi varreza masive”.

Mirëpo, Osmani ngatërroi emrin e ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiç me atë të ish Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, të cilin tha se Serbia e ka vrarë, ndërsa i menjëhershëm qe reagimi i Selakoviçit.

“Sipas presidentit të ndjerë (serb) Boris Tadiç, të cilin e kanë vrarë në Serbi ka edhe shumë më shumë varreza masive aty”.

Selakoviç tha “jam shumë i shqetësuar për mendjen e zonjës Osmani, ajo tha një shumësi gënjeshtrash”.

“Boris Tadiç është ish-Presidenti i Serbisë, dhe i falemnderohem zotit për këtë, por ai është në Beograd, është në gjendje shumë të mirë. Atë nuk e kanë vrarë siç deklaruat ju. Çfarë po thuani?”, deklaroi Selakoviç.

Mirëpo Osmani kërkoi falje për gabimin, tha se kishte ndërmend Zoran Gjingjiçin e jo Boris Tadic, por megjithatë gaboi përsëri kur tha “Presidenti i ndjerë Gjingjiç”, i cili në fakt ka qenë Kryeministër i Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore