Kosova

Osmani në 25 vjetorin e Policisë: Nderojmë shërbimin e tyre si gardianë të rendit, sigurisë e integritetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25 vjetorin e themelimit të policisë ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj tyre për punën të cilën e bëjnë duke shërbyer si gardianë të vendit.

“Sot shënuam 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës për ta nderuar përkushtimin, guximin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit, sigurisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Kurse të enjten, e para e shtetit ka pritur në takim drejtorin e Inspektoratit të Policisë, Kushtrim Hodaj, me të cilin ka diskutuar për sfidat dhe sukseset e këtij institucioni.

“Puna që ata bëjnë nuk është gjithmonë e lehtë, por është përherë e nevojshme. Puna e tyre për mbikëqyrjen e policisë është garanci dhe dobi për qytetarët, institucionet dhe shtetin”, ka thënë Osmani në takim me Hodajn.

Edhe kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e 25 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ku ka deklaruar se sulmi terrorist i Banjës më 24 shtator të 2023-së, na rikujtoi rëndësinë që territori të mbrohet edhe me jetë.

Ai gjatë fjalimit të tij para të pranishmeve tha se veprimet e Policisë në sulmet e njëpasnjëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit.

Në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Policisë, për herë të parë u interpretua himni i Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore