Kosova

Osmani me Tajanin: Suksesi i dialogut varet nga trajtimi i barabartë i palëve


Antonio Tajani dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën priti në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani dhe ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Osmani me zyrtarët italianë bisedoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dialogun me Serbinë.

“Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Në këtë kontekst, ka potencuar se për sukses të procesit të dialogut, nevojitet trajtim i barabartë i palëve të përfshira”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Antonio Tajani dhe Vjosa Osmani

Gjithashtu, e para e shtetit nënvizoi se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut nuk duhet lejuar të përdoret si instrument i Serbisë për ta minuar rrugën euroatlantike të Kosovës”.

Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e targave brenda afatit 48-orësh.

“Kosova e konsideron Italinë si një partnere, me të cilën synon thellimin e marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha”, potencoi Osmani, duke mirëpritur idenë e palës italiane për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik ndërmjet bizneseve të dy shteteve,

Sipas shefes së shtetit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit.

Ndërkaq, siç thuhet në komunikatë, nga zëvendës-kryministri italian, Osmani ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave, sikurse edhe për anëtarësimin ne Këshillin e Evropës.

Gjithashtu, Tajani gjatë ditës ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurtin, me të cilin kanë diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin e ardhshëm dhe interesat dhe shqetësimet e përbashkëta.

“Ne jemi partnerë dhe aleatë në angazhimin tonë për paqe dhe siguri”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Twitter.

Ndryshe, vizita e Tajanit në Kosovë vjen një ditë pas takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksanër Vuçiç’it në Bruskel ku nuk është arritur marrëveshje për targat.

Por, kryeministri Kurti ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Tajani: Jemi në dispozicion të Kosovës dhe Serbisë, planifikojmë t’i ftojmë liderët në Romë

Tajani, ka thënë se qeveria italiane po planifikon t’i bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor në Romë për të përçuar një sinjal se Italia është e përkushtuar për të gjetur zgjidhje.

“Po mendojmë që ta organizojmë në Romë një ngjarje që do t’i dedikohet Ballkanit ku do t’i ftojmë përfaqësuesit e Ballkanit që të sjellë rezultate të mira”, deklaroi Tajani në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij, Donika Gërvalla.

Antonio Tajani dhe Donika Gërvalla/Ekonomia Online

“Jemi vënë në dispozicion të Kosovës dhe Serbisë për të bërë gjithçka që është e mundur për të zgjidhur problemet. Jemi të gatshëm dhe të disponueshëm për të përforcuar zhvillimin konkret të marrëdhënieve ekonomike”.

“Nuk dua që lufta të ndodh sërish”, theksoi shefi i diplomacisë italiane duke shfaqur optimizmin e tij se megjithatë, rajoni mund t’i kthehet prosperitetit, zhvillimit ekonomik dhe paqes.

“Kjo vizitë s’është e rastësishme. Dua të që ky të jetë një mesazh për t’iu thënë se ne jemi këtu për ju, jemi në dispozicionin tuaj që mund të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve”.

Kosova s’e pranoi propozimin e BE-së, Serbia po – çka tash?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore