Kosova

Osmani kujton betejën e Koshares


Vjosa Osmani,në Kompleksin Përkujtimor në Koshare

Beteja e Koshares sipas Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave.

“Shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak”, ka shkruar Osmani pas homazheve në Kompleksin Përkujtimor në Koshare, për nder të 23 vjetorit të Betejës së Kosharës.

Sipas saj, beteja e koshares dëshmoi se liria nuk ka çmim dhe se vendosmëria për të arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshëm.

“Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore për vajzat e djemtë e UÇK-së, por edhe për gjithë popullin e Kosovës”, ka shtua ajo.

“Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë. I përjetshëm kujtimi për heronjtë e Koshares!”, ka përfunduar Osmani.

Beteja e Koshares, njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga Brigada 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani më, 9 prill të vitit 1999, të shtunën shënon 23 vjetorin e saj.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë përveçse ishte një fitore morale për UÇK-në, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në Kosovë.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm në marrjen dhe pastrimin e kufirit, por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore