Kosova

Osmani: Kosova tregoi shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje në Lojërat Olimpike


Foto nga presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ndonëse të hënën në garat e xhudos e të boksit fati s’ka qenë në anën e Kosovës, paraqitja e sportistëve ka qenë e jashtëzakonshme.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka shprehur përkrahje për të gjithë sportistët që po marrin pjesë në gara në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris duke thënë se Kosova demonstroi “shpirt luftarak”, “profesionalizëm” dhe “këmbëngulje”.

“Një e argjendtë dhe duele të tjera jashtëzakonisht sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror. Dje, fati nuk ishte në anën tonë as në garat e xhudos e as në atë të boksit, pavarësisht punës së pareshtur e paraqitjes së jashtëzakonshme të sportistëve tanë”.

“Teksa paraqitjet e tjera po i përcjellim nga Kosova, shpresoj që të gjithë garuesit tanë ta dijnë se pavarësisht se a fitojnë medalje apo jo, Kosova është me ta në çdo hap e në çdo sfidë”, ka shkruar Osmani.

Ndërsa, Laura Fazliu është kualifikuar në çerekfinale.

Të hënën, xhudisti kosovar Akil Gjakova është mposhtur nga Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike në Paris.

Megjithatë, Gjakova ende ka gjasa të fitojë medalje olimpike, meqë do të luftojë për vendin e tretë.

Distria Krasniqi, xhudistja kosovare që ka mbërritur lartësinë olimpike, pas medaljes së artë në Tokio të Japonisë në vitin 2021, ka fituar të dielën medaljen e argjend në Lojërat Olimpike në Paris të Francës.

Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, ajo u mposht nga xhudistja uzbeke, Diyora Keldiyorova, për herë të dytë.

Pas ndeshjes, xhudistja pejane deklaroi se është shumë e lumtur që fitoi medalje olimpike, duke u shprehur se nuk ka fort rëndësi ngjyra e medaljes sepse tashmë i ka dy. “Medaljen ia dedikoj trajnerit [Driton Kuka], klubit, familjes dhe normalisht, të gjithë Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

E argjenda e Krasniqit është medalja e parë për Kosovën në Lojërat Olimpike të Parisit, dhe medalja e katërt olimpike në përgjithësi.

Kosova ka fituar tri medalje të arta olimpike dhe të gjitha në sportin e xhudos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore