Shqipëria

Osmani: Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt integrimit euro-atlantik


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është shprehur se data e 28 nëntorit, shënon daljen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kthyer në kujtesë sakrificën si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë.

“Në historinë e re të Kosovës, ndërkaq, kjo datë shënon daljen e parë të UÇK-së dhe hapjen e një kaptine të re në betejën për liri të Kosovës, e cila ndoqi edhe traditën shumë të fuqishme të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe rezistencën aktive përballë hegjemonisë shtypëse të Serbisë, por shënon edhe ditëlindjen e heroit tonë kombëtarë Adem Jasharit, heroit tonë legjendar”.

Osmani, në fjalimin e saj me rastin e 111 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ka thënë se kjo datë aq sa sjell gëzime, sjell edhe pikëllim për përpjekjet që janë bërë.

“Sikurse në çdo 28 nëntor tjetër, ne sot i sjellim në kujtesë këto sakrifica dhe u gëzohemi fort të arriturave të shtetit demokratik shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi”, ka thënë Osmani.

E para e shtetit, ka thënë se rëndësia mes Kosovës dhe Shqipërisë po zhvillohet krahas njëra-tjetrës.

“Duke shkëmbyer përvoja, dije, njohuri e duke mbështetur njëra- tjetrën. Kemi synime të njëjta: integrimin në Bashkimin Evropian, e konsolidimin e mëtejmë të shteteve tona. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt integrimit euro-atlantik. Ne ndajmë një dëshirë të fortë dhe të përbashkët për ta ndihmuar njëra-tjetrën për të arritur synimet tona dhe për ta bërë këtë rajon një vend më të mirë për të gjithë”.

“Sot ne ndihemi krenar për arritjet tona të përbashkëta. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria, kanë kaluar sfida të mëdha, por kemi bërë edhe progres të rëndësishëm”.

Po ashtu, bindja e Osmanit është që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë vetëm do të vazhdojë duke u thelluar më shumë.

“Jam e sigurt se fryma e bashkëpunimit mes dy vendeve tona do të thellohet edhe më tej dhe do të përafrohemi gjithnjë e më afër njëra-tjetrës e së bashku do të japim kontribut të çmuar, promovimin e jetës demokratike në rajonin tonë dhe do të ecim përkrah njëra-tjetrës në promovimin e lirisë dhe parimeve të saj, mbi të cilat kemi mbështetur tradicionalisht politikën tonë”.

Ajo tutje ka theksuar rëndësinë e ditës së 28 nëntorit për shqiptarët kudo në botë.

“Kjo datë e rikthen në kujtesën historike të shqiptarëve edhe një 28 nëntor tjetër, atë të vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti ngriti flamurin në Krujë dhe i dha udhë jo vetëm bashkimit të shqiptarëve rreth idesë së lirisë e të jetës së pavarur, por edhe shpalli të parin projekt integrues evropian, në të cilin shqiptarët dhe jo vetëm u bënë pjesë, por edhe e bartën vulën e tij”.

Pavarësisht, vështirëve që ka pasur Shqipëria në formimin e saj si shteti, sipas Osmanit gjithmonë i ka tejkaluar ato.

“Gjatë 111 vjetëve të ekzistimit të saj si shtet i pavarur, Republika e Shqipërisë është zhvilluar në shtet modern, i cili promovon të drejtat e liritë themelore të shtetasve të saj dhe mirëqenien e tyre ekonomike e kulturore, duke e transformuar shoqërinë shqiptare drejt një shoqërie që nxit e kultivon përparimin njerëzor dhe stimulon dashurinë ndaj vlerave të përbashkëta”.

“Ajo ka kaluar nëpër periudha të vështira, por është ringritur përsëri, ngase themelet e qytetërimit të saj të hershëm kanë mbetur të pathyera; ka kaluar sisteme e regjime politike, përfshirë ferrin komunist, që i solli vendit izolimin afër 50-vjecar, por ka mbijetuar si vend i lirë ngase qytetarët e Shqipërisë kanë ëndërruar lirinë dhe i janë përkushtuar fort asaj”.

Teksa, është shprehur e lumtur që e sheh Shqipërinë për vendin që është bërë.

“Sot, Shqipëria është vend demokratik, që promovon vlerat e lirisë e të qytetërimit tonë të lashtë, parimet e lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, promovon kulturën dhe diversitetin dhe është e vendosur fuqishëm në rrugën e integrimit evropian, duke u përafruar çdo ditë e më shumë drejt BE-së”.

“Kurse si anëtare prej vitesh e aleancës më të fortë ushtarake në historinë e njerëzimit, NATO-s, ajo jo vetëm që është përkushtuar fuqishëm për ta garantuar sigurinë e vendit, por po kontribuon fuqishëm edhe në paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë”.

Shqipëria, më 28 nëntor shënon 111 vjetorin e pavarësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore