Kosova

Osmani kërkon avancimin e statusit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe përfaqësuesi i ONF-së, Eric Pope

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF) për Evropën Qendrore dhe Lindore, Eric Pope, organizate kjo në të cilën Kosova ka statusin e anëtar vëzhguesit.

Osmani ka kërkuar nga Pope, ngritjen e statusit të Kosovës në këtë organizatë.

“Presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së statusit të Kosovës në ONF nga statusi i vëzhguesit në anëtar me të drejta të plota”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

E para e vendit vlerësoi se Kosova është shembull i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve pa dallim, forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë”.

Ndërsa është thënë se palët diskutuan edhe për samitin e Frankofonisë, i cili do të mbahet në tetor.

“Ku Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës”.

Kosova u bë anëtare vëzhguese e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF) në vitin 2014.

Kjo është një organizatë ndërkombëtare që bashkon vendet dhe rajonet ku gjuha frënge ka një ndikim të rëndësishëm, qoftë përmes përdorimit të saj të përhapur apo përmes lidhjeve historike dhe kulturore.

Anëtarësimi i Kosovës si vëzhguese i ka mundësuar vendit të marrë pjesë në aktivitetet e organizatës dhe të përfitojë nga bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht në fusha si arsimi, kultura dhe promovimi i gjuhës frënge.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore