Shqipëria

Osmani: Kadareja ishte simbol i lirisë për të gjithë – trashëgimia e tij do të mbetet përjetësisht në zemrat tona


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shkrimitari i madh shqiptar, Ismail Kadare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, duke e kujtuar atë si “gjeniun shqiptar”.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar sot është në zi.

“Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës”.

“Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”.

Përveç shumë veprave me të cilat Kadareja i pasuroi shqiptarët, kontributi i tij ka ndikuar edhe në liri.

“Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht”.

“Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet”, ka shkruar Osmani në rrjetin social ‘Facebook’.

E para e shtetit, theksoi se Kadareja do të mbetet gjithë i gjallë në shpirtat e lexuesve.

“Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit”.

Sipas Osmanit, Kadareja i kishte shprehur gjithandej veprat e tij duke i paraqitur vlerat e popullit shqiptar në botë.

“Duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore”.

Këtë të hënë të 1 korrikut ka ndërruar jetë shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, Shqipëri.

Ai studioi në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Institutin e Letërsisë Botërore Maksim Gorki në Moskë. Edukimi në Moskë i dha mundësinë të njihej me trende dhe lëvizje të ndryshme letrare që ndikuan shumë në stilin e tij të shkrimit.

Udhëtimi i Kadaresë nga poezia si përfytyrim, në tokën e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore