Kosova

Osmani justifikon Kurtin: Mosmarrëveshjet ekzistojnë edhe në familje


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për agjencinë britanike të lajmeve “Reuters”, teksa komentoi ‘përplasjet’ e kryeministrit Albin Kurti me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se nganjëherë ndodhë që edhe mes miqve e familjarëve të ketë mosmarrëveshje.

“Ka momente kur ne kemi komunitetin ndërkombëtar për taktikat. Por edhe mes miqve më të mirë, edhe mes familjes, ju nganjëherë keni mosmarrëveshje. Ku ne nuk kemi mosmarrëveshje, sipas vlerësimi tim, me bashkësinë ndërkombëtare, është integrimi euro-atlantik i rajonit”, tha Osmani.

“Nuk besoj që kemi mosmarrëveshje me komunitetin ndërkombëtar në përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, si dhe pavarësinë tonë. Në fakt, arsyeja pse Kosova ka qenë e suksesshme, përveç qëndrueshmërisë së popullit të saj, ka qenë për shkak se kemi pasur aleatët në anën tonë”.

Presidentja Osmani komentoi gjërë e gjatë edhe për takimin joformal 10-minutësh me homologun e saj serb, Aleksandër Vuçiç, nën ndërmjetësimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Takimi me Vuçiçin ishte siç pritej, në kuptimin që Vuçiç, në shumicën e takimeve të tij, është një ‘drama king’. Kështu që ai tentoi të krijojë shumë dramë përsëri. Por ai nuk dha asnjë ide që do të kontribuonin paqes dhe stabilitetit në rajon”, theksoi Osmani.

“Ai ka dëshirë të pretendojë se po bën lëshime të mëdha, që ka shumë presion mbi të, që po vuan, që është në rrezik… Por, unë mendoj që gjithë ai zemërim duhet të lihet jashtë dhomës në moshën 4-vjeçare. Shtetarët duhet të shfaqin lidership, posaçërisht kur përballen me situata të tilla të vështira”, shtoi ajo.

Shefja e shtetit tha se është e gatshme t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohet për rizgjedhje në komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – pas tensioneve të fundit atje. Por me një kusht: serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit.

“Nëse serbët që jetojnë atje, nëse qytetarët dëshirojnë kryetarë të zgjedhur nga ata, ka mënyra se si të bëhet kjo. Dhe ajo bëhet duke kërkuar zgjedhje të reja, të cilat ne natyrisht do t’i organizonim bazuar në rregullat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”, pohoi Osmani.

Me sanksione/pasoja tepër serioze është kërcënuar Qeveria e Kosovës po që se nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të partnerëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndërsa presin një përgjigje pozitive deri të premten.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ia kanë paraqitur autoriteteve kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore