Kosova

Osmani falënderon senatorin Menendez: Senati hodhi dritë mbi zhvillimet në rajon


Vjosa Osmani dhe Bob Menendez

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një cicërime në rrjetin social “Twtter”, ka thënë se në seancën dëgjimore në Senatin Amerikan, ku raportuan zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Derek Chollet për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, u hodh një dritë vendimtare mbi zhvillimet në rajon.

Për këtë ajo falendëroi kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në senatin amerikan, Bob Menendez.

“Një falënderim nga zemra për senatorin Bob Menendez për lidershipin e tij, angazhimin e palodhur dhe angazhimin e palëkundur ndaj demokracisë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Osmani në Twitter.

“Mirënjohës për iniciativën e tij për seancën e sotme të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili hodhi një dritë vendimtare mbi zhvillimet në rajon”.

Ndryshe, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Menendez, në seancën dëgjimore në Senatin Amerikan, ku raportuan zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Derek Chollet për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se përderisa presioni i Perëndimit është orientuar kryesisht nga Kosova në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po promovon idenë nacionaliste të “botës serbe”.

“Vuçiç bëri një fjalim publik ku shprehu papajtueshmërinë e tij me përmbajtjen e marrëveshjes. Ky është një model i Vuçiç-it. Ky është një model i njohur i Vuçiç-it. Diçka tjetër thotë para liderëve perëndimorë, ndërsa diçka tjetër para popullit serb dhe mediave që kontrollohen nga ai”.

“Ai përdorë narrativën nacionaliste serbe për të përhapur idenë apo vizionin e ‘Serbisë së Madhe’, njëjtë sikur vizioni i ‘Rusisë së Madhe’ të [Vladimir] Putin-it. Ai lavdërohet me lidhjet që ka me Putin-in. Nuk i ka vendosur ende sanksione Rusisë”, tha Menendez.

Menendez pohoi se Kosovës po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe nga liderët perëndimorë, ndonëse ajo është pajtuar për këtë çështje dhe për më tepër, sipas tij, akoma nuk ka ende ndonjë plan apo garacion që ky mekanizëm nuk do të shndërrohet në nivel të tretë i pushtetit.

“Unë e shoh se po i bëhet presion Kosovës. E di se Kosova veçse është pajtuar për këtë. Nuk po i bëhet aspak presion Beogradit dhe ende s’ka ndonjë plan apo garanci se  asociacioni nuk do të bëhet një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor sepse po i shohim implikimet në Bosnje-Hercegovinë”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore