Kosova

Osmani e Kurti në “Ditën e Forcës”: FSK-ja trashëgimtare e UÇK-së, e gatshme t’i bashkohet NATO-s


Foto: Albanian Post

Në “Ditën e Forcës”, këtë të hënë të 27 nëntorit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, vizituan kazermën “Adem Jashari”, ku u ekspozuan pajisjet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Osmani e Kurti theksuan se FSK-ja është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është e gatshme t’i bashkohet NATO-s.

Ajo si Komandante Supreme e Ushtrisë, theksoi se “kjo ditë është ditë krenarie për të gjithë dhe për të cilën është derdhur shumë gjak”.

“FSK është forcë e trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s, forcë e cila jep kontribut jo vetëm për paqen në rajon, por edhe përtej.  Duke shërbyer krah forcave amerikane, britanike e ushtrive tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës, kështu duke dëshmuar se FSK është e gatshme t’i bashkohet NATO-s”, tha Osmani.

Po ashtu e para e shtetit u zotua se do të krijohen kushte më të mira për ushtarët e vendit, në mënyrë që të rritet vullneti i tyre për punë.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka nënvizuar se është një ditë e gëzimit dhe “përkujtojmë ata që sakrifikuan, por edhe në të njëjtën kohë me optimizëm ecim drejt të ardhmes kur e dimë se sa të sigurt jemi me ushtrinë tonë”.

Kurti u krenua edhe me dyfishim të buxhetit të për Ministrinë e Mbrojtjes për blerje të armatimit dhe shkollim të oficerëve dhe ushtarëve jashtë vendit.

“Në njëjtën kohë ne e kemi të qartë se Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nesër e kemi 28 Nëntorin që e shënojmë në kujtim të lirisë, të flamurit të kuq me shqiponjën dy krenare të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë, e të Adem Jasharit në Prekaz”, potencoi ai.

Ndërkaq Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se FSK-ja po vazhdon të rritë kapacitet e saj përmes investimeve në armatim.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Maqedonci e ka quajtur ushtrinë e Kosovës “jetësim të ëndrrës shekullore”.

“Po fillojmë festën me Ditën e Forcës, ushtrisë që është jetësim i ëndrrës tonë shekullore, simbol krenarie e garancë e një jetë të sigurt për gjithë qytetarët e Republikës, kufi i pakalueshëm për këdo që tenton të cenoj territorin e këtij shteti”.

Buxheti për vitin 2024 në fushën e mbrojtjes sipas Qeverisë së Kosovës, do të jetë në vlerë prej 153 milionë euro, apo 30 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Albin Kurti më 31 tetor, i cili tha se rritja e buxhetit prej 30 milionë euro nga viti paraprak, tregon përkushtimin e tyre në fushën e sigurisë.

Ndryshe më 16 nëntor, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë eurove, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore