Kosova

Osmani e Kasanof diskutojnë mbi dialogun Kosovë – Serbi


Vjosa Osmani dhe Alexander Kasanof

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se të shtunën në margjinat e forumit global të sigurisë “GLOBSEC 2024” në Pragë të Çekisë ka takuar të deleguarin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Osmani ndërsa është shprehur e kënaqur me këtë takim ka njoftuar se diskutimi me top-diplomatin amerikan ka qenë i thellë.

“Një diskutim i thellë për zhvillimet e fundit, rëndësinë jetësore të angazhimit proaktiv dhe të rritur të SHBA-ve për paqen afatgjatë në rajon, dhe për dialogun Kosovë – Serbi”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe Osmani, të shtunën, takoi edhe ministrin për Evropën dhe Amerikën e Veriut të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty.

Nëpërmjet një njoftimi në platformën sociale, X, Osmani është përkujdesur të theksojë se aleanca e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Në Pragë, ishte kënaqësi të takoja ministrin Doughty. Marrëdhënia jonë e veçantë dhe historikisht e fortë siguron një themel të fortë për të përparuar më tej bashkëpunimin tonë”, shkroi ajo.

Ndërkohë gjatë një paneli në forumin global të sigurisë, “GLOBSEC 2024”, Osmani potencoi se kur nuk ka koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “suksesi është momental”.

Meqë në vlerësimin e saj koordinimi me Uashingtonin zyrtar do të thotë sukses më i qëndrueshëm.

“Kur ka koordinim me ShBA-në, suksesi është më i qëndrueshëm, më afatgjatë e kur nuk ka koordinim suksesi është momental, mund të duket mirë, mund të tingëllojë mirë, por që pastaj është më i brishtë si sukses pasi mund të bësh hapa prapa”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore