Lajme

Osmani e Barbano diskutojnë për sundimin e ligjit në Kosovë


Vjosa Osmani dhe Giovanni Pietro Barbano.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të premte ka takuar shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano.

Në takim, siç njofton Zyra e Presidentes, është diskutuar për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend.

“Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit teknik të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie”.

Ndryshe Osmani, të enjten ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ku në “fokus të veçantë” të takimit ishte aprovimi i kërkesës së Kosovës nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) për blerjen e sistemit të sofistikuar anti-tank “Javelin” dhe pajisjeve të tjera për Kosovën.

“Në fokus të veçantë gjatë këtij takimi ishte miratimi i Programit të Shitjeve Ushtarake (FMS) nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve. Me këtë rast, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe vlerësoi lartë punën e institucioneve në të dyja anët”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Osmani dhe Hovenier, sipas njoftimit për shtyp, diskutuan edhe për një sërë çështjesh të tjera të interesit të përbashkët dhe rikonfirmuan nevojën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit dhe bashkrëndimit të vazhdueshëm me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.

“Javelin”-ët në “fokus të veçantë” të takimit Osmani-Hovenier

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore