Lajme

Osmani e Aliu flasin për përgatitjet e Kosovës për pjesëmarrje në COP28


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të enjte është takuar me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me të cilin ka diskutuar për përgatitjet për pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Ndryshimet Klimatike (COP28) që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përmes një komunikate të lëshuar nga presidenca, thanë se ftesa për delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga Osmani për pjesëmarrje në diskutimet e nivelit të lartë në kuadër të COP28 “paraqet një moment historik dhe tejet të rëndësishëm sa i përket angazhimit të vendit në drejtim të implementimit të agjendës klimatike”.

“Në takim u diskutua për zhvillimet dhe të arriturat në fushën e përpilimit dhe miratimit të legjislacionit të rëndësishëm në fushën e ndryshimeve klimatike, por edhe për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për një paraqitje sa më të suksesshme të vendit në COP28”.

Aty potencohet se Osmani dhe Aliu janë dakorduar për bashkërendim të angazhimit dhe komunikimit në muajt në vijim, “duke theksuar rëndësinë e madhe të adresimit të suksesshëm dhe efektiv të sfidave të lindura si pasojë e ndryshimeve klimatike me qëllim të garantimit dhe avancimit të mirëqenies së qytetarëve”.

Përveç kësaj, bëhet me dije se në takim subjekt i diskutimit kanë qenë edhe “projekte e shumta dhe iniciativa të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndërtimit të infrastrukturës e të cilat janë të rëndësishme për avancimin e përpjekjeve vendore drejt avancimit të Agjendës së Gjelbër dhe përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse në vend dhe rajon”.

Ndryshe, Emiratet e Bashkuara Arabe do të presin Konferencën e 28-të të Palëve të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP28)  nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor 2023 në Expo City Dubai për të bashkuar botën drejt marrëveshjes për zgjidhje të guximshme, praktike dhe ambicioze për zgjidhjet më të ngutshme në këtë kohë të sfidave globale.

Si mikpritëse, Emiratet e Bashkuara Arabe do të mobilizojnë veprime rreth një “korrigjimi të madh të kursit” për të përshpejtuar reduktimet e emetimeve duke garantuar sigurinë e energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore