Osmani: Do të ishte më mirë që Martin Berishaj të largohej nga pozita derisa drejtësia ta japë fjalën e fundit

SHFLETO

Vjosa Osmani

 

Armat Matoshi
08.09.2024 21:26
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo” të dielën, ka folur për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për një skandal financiar në Slloveni, duke thënë se i njëjti duhet të largohet nga përfaqësimi i vendit derisa drejtësia të japë fjalën e fundit.

“Unë dëshiroj që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet, dhe më e mira në këtë rast do ishte që derisa të përfundojë procedura, ai të largohet nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja ta shkarkojë dikë krye më vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërkuar që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai të tërhiqet vet”, ka thënë Osmani.

Osmani ka njoftuar se nuk e ka ftuar e as takuar ambasadorin Berishaj gjatë vizitës së fundit në Sinj të Kroacisë: “Nuk e kam takuar sepse kështu kam vendosur… dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës”.

Berishaj aktualisht është subjekt i hetimeve të Prokurorisë së Kosovës për shmangie të tatimit dhe shpëlarje të parave. Ai ka bërë jehonë në vitin 2022, kur mediat sllovene kanë raportuar se ambasadori i Kosovës në Kroaci ka transferuar rreth 600 mijë euro tek një kompani private në Mal të Zi.

Ndryshe, pavarësisht thirrjeve për shkarkimin e ambasadorit të dyshuar për korrupsion, ekzekutivi kosovar nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) akoma nuk ka vepruar, duke pretenduar se Berishaj është i pafajshëm. Ai shpesh është marrë në mbrojtje nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës.