Kosova

Osmani as “me ne” as “me ata” – edhe kërkon hapje te urës edhe koordinim me ndërkombëtarët


Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për hapjen me Urën mbi lumin Ibër assesi nuk duhet që të diskutohet me Serbinë, sepse “është kundërkushtetuese”, por në të njëjtën kohë thekson se duhet koordinim me partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje, të cilët po kërkojnë që hapja e urës kryesore në Mitrovicë të jetë temë e dialogut të Brukselit.

Këto deklarata kontradiktore, Osmani i bëri të enjten, në një prononcim për media nga Vitia, pas takimit që pati me kryetarin e kësaj komune, Sokol Haliti.

Vendet perëndimore, posaçërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar, ndryshe nga Osmani, që çështja e hapjes së Urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut të diskutohet në dialog me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Unioni.

Kush çka tha?

Të mërkurën, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në një përgjigje për “Zërin e Amerikës”, tha se ShBA-të i bëjnë thirrje qeverisë që çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër të diskutohet në kuadër të dialogut.

“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të QUINT-it – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, thuhet në përgjigje e DASH-it.

Objektivi i ShBA-ve, thotë DASH-i, është që të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.

DASH i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti, që “të mos ta ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar”.

ShBA, ka theksuar DASH-i, nuk mbështesin “asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këto momente”.

“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”.

Në këtë linjë janë deklaruar edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Unionit, Peter Stano – në disa raste – ka deklaruar se çështja e hapjes së urës duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

“Rihapja e urës në Ibër është temë e dialogut dhe çdo vendim për të duhet të merret përmes dialogut”, kishte thënë Stano më 1 gusht, qëndrim ky që e ka ripërsritur edhe herëve të tjera.

Këtë e kërkoi të enjten edhe i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili – ndër të tjera – bëri me dije se Unioni nuk është kundër hapjes së Urës.

“Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë e pakicës. Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”, shkroi Lajçak në platformën X, të mërkurën në mbrëmje.

Por, ndryshe nga BE dhe SHBA, thotë Osmani.

Ndonëse insiston që për hapjen e Urës mbi lumin Ibër të ketë me patjetër koordinim me ndërkombëtarët – posaçërisht me ShBA-të – ajo shprehet kategorikisht kundër që kjo çështje të trajtohet në dialogun me Serbinë, çka partnerët po kërkojnë.

Për presidenten “nuk ka asnjë arsye” dhe kundërshton “në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës në Bruksel”, derisa i dërgoi mesazh edhe zëdhënësit të BE-së, Petar Stano, i cili që disa herë po e përsërit se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialog.

“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi –më duket është nga Sllovakia – që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet, pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Kosovës”, shtoi.

Dialog me Serbinë për këtë temë, në prizmin e Osmanit, nuk do duhej ta pranonte askush.

“Do të ishte kundërkushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës”.

Por, e para vendit kërkon dialog me, siç i quan ajo, “shpëtimtarët tanë”, në këtë rast partnerët ndërkombëtarë.

Madje, presidentja potencon se një gjë e tillë jo që është e nevojshme dhe e domosdoshme, “por është në interesin tonë mbi të gjitha”.

“Prandaj, i lus edhe qytetarët tanë që në këtë situatë kur vërtetë në botë aleatët tanë po merren me lloj lloj konfliktesh të tmerrshme dhe po e shohin edhe vetë sa shumë vuajtje këto konflikte po shkaktojnë, që të punojmë bashkë me njerëzit që gjithnjë kanë qenë në krahun tonë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pohoi.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se konsultimet rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër do të vazhdojnë, ndërsa ka shtuar hapja e urës kryesore në Mitrovicë nuk është kundër partnerëve të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, dhe unë si kryeministër, besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja dhe siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe qytetarët”.

“Do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka shtuar kryeministri Kurti në mbledhjen e 216-të të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore