Osmani: AGK-ja nuk ka kërkuar takim dhe s’ka dërguar vërejtje për ligjin e KPM-së

SHFLETO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Altina Marmullaku
31.07.2024 14:56
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se s’ka pranuar asnjë kërkesë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), për t’u takuar me të dhe për të diskutuar ankesat që kanë për Ligjin e Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM).

Osmani, para gazetarëve ka sqaruar se nga AGK-ja s’është dërguar as edhe një vërejtje që kanë lidhur me këtë ligj.

“Si Presidencë e Republikës së Kosovës, ne gjithmonë e kemi mbajtur derën hapur për të gjitha palët e interesuar në rastet kur interesat e tyre janë prekur nga një ligj i caktuar, cdo herë në këto tri vite e gjysmë”.

“AGK-ja s’ka kërkuar takim, se ka dërguar asnjë shqetësim dhe asnjë analizë se ka dorëzuar tek ne. Ju lutëm, që t’i dorëzoni të gjitha vërejtjet që keni në mënyrë që ekipi ligjor t’i analizojë të gjitha ato vërejtje”, ka thënë Osmani para gazetarëve.

Sipas saj, s’duhet të kërkohet që ajo të flasë pa pasur kërkesë për t’u takuar fillimisht me të.

“Nëse kërkohet që presidentja të dalë publikisht të flasë pa e takuar presidenten s’mendoj që kjo është rruga e drejt, por është çështje që e vendosni ju”.

Ndërsa, sa i përket rastit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), e para e shtetit ka thënë se “refuzoj çdo gjuhë apo akuzë e cila në emër të lirisë së shprehjes e vendos në rrezik jetën e tjetrit”.

Më 16 korrik, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të dalë me një qëndrim publik për ligjin e Këshillit të Pavarur për Media (KPM), i cili është miratuar nga Kuvendi ndonëse i njëjti u kritikua nga Bashkimi Evropian e organizata ndërkombëtare.

Kërkesën drejtuar Osmanit, AGK-ja e kishte bërë përmes një komunikate për media.

Pavarësisht sugjerimeve të BE-së dhe KiE-së që projektligji të ndryshohet për të siguruar që ai as të mos minojë pavarësinë e KPM-së e as të mos krijojë mospërputhje ligjore, por të jetë në përputhje me standared evropiane, legjislativi kosovar ka miratuar të enjten projektligjin për KPM-në.

Partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë lëshuar sallën në momentin që Kuvendi i Kosovës kishte votuar kundër që Projektligji për Zyrtarët Publik, ai për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të kthehen për ri-shqyrtim Qeverisë së Kosovës, apo Komisionit përkatës.

Projektligjin për KPM-në e patën kundërshtuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), duke e cilësuar si tentim të Qeverisë së Kosovës nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për t’i sulmuar mediat online që prodhojnë materiale audio-vizuale, bashkë me kërkesën që të tërhiqet nga kjo tentativë.