Shqipëria

OSBE: Prezenca jonë në Shqipëri nuk ka asnjë lidhje me OKSE-në


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE) ka deklaruar se nuk është duke zhvilluar asnjë anketë zgjedhore në Shqipëri, pas qarkullimit të zërave të një bashkëpunimi me organizatën OKSE.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është vënë në dijeni se një organizatë e vetëquajtur OKSE po zhvillon anketa dhe studime duke pretenduar se e bën këtë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, ka shkruar OSBE.

OSBE ka sqaruar mospërfshirjen dhe distancën e saj me organizatën në fjalë, si dhe deklaroi se nuk do të ketë pjesëmarrje të saj në asnjë sondazh zgjedhor.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u shpreh gjithashtu se çështja në fjalë i është referuar autoriteteve për të ndjekur veprimet ligjore përkatëse.

“Ne kemi vënë në dijeni autoritetet përkatëse lidhur me çështjen. Informojmë se emri i OSBE-së, emblema e saj dhe logo të tjera, që janë pronë eksluzive e OSBE-së, mbrohen nga Neni 6 i “Konventës së Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale” dhe nuk mund të kopjohen, të riprodhohen të shfaqen apo të përdoren pa lejen paraprake me shkrim të OSBE-së”, shkruhej në deklaratë.

Albanianpost.com


Lajmet kryesore