Libra

Orjela Stafasani: “Përkthimi është kompromis”


Studiuesja dhe përkthyesja e letërsisë, Orjela Stafasani

Përkthimi është shkencë në vete, dhe të gjithë jemi të njohur me shprehjen “Traddutore, traditore”, se “Përkthyesi është tradhtar”.

Por çka është ajo që tradhton përkthyesi? Autorin e veprës, tekstin origjinal, kuptimin e fjalive, shprehjet? Këto janë ndër sfidat më të vështira të përkthimit, me të cilat ballafaqohet një përkthyes i cili nuk do të tradhtojë tekstin që ka në duar.

Orjela Stafasani është studiuese dhe përkthyese e letërsisë. Ajo u ka dhënë frymë në gjuhën shqipe autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore si Miguel de Unamuno, Fredrico Garcia Lorca, Cesare Pavese, Jorge Luis Borges, Ernesto Sabato, Mario Vargas Llosa etj.

Disa prej veprave të përkthyera në shqip nga Orjela Stafasani

Për atë se çka do të thotë të përkthesh një vepër, çka është dhe si bëhet një përkthim i një vepre letrare, çka përkthehet e çka humbet në një përkthim, sa ndikon një përkthim i keq në letërsi etj, Orjela Stafasani, në një intervistë për Albanian Post, tregon esencën e këtyre pyetjeve.

Përkthimi dhe lexuesi

“Përkthimi është nevojshmëri, ndërkomunikim kulturash, është shkencë, teori”, thotë fillimisht Orjela Stafasani.

“Sigurisht në fillim ka target lexuesin që nuk mund ta lexojë autorin apo veprën në origjinal, por e tejkalon këtë pasi krijon një traditë, ndihmon në pasurimin e gjuhës, në njohjen e tjetrit etj”.

Ndërsa thotë se “Ndoshta duhet t’i falënderohemi mitit të Kullës së Babelit, që bëri të lindë zanati i përkthyesit”, mit ky i cili i referohet origjinës së shumëllojshmërisë së gjuhëve, ku edhe vetë fjala Babel vie nga fjala hebreje Babál (בבל), që i bie të ngatërrohesh ose të hutohesh, të mos kuptosh.

Ilustrim i mitit të Kullës së Babellit për origjinën e shumëllojshmërisë së gjuhëve.

Çka është dhe çka nuk është e përkthyeshme në një vepër letrare

“Eco, në librin e tij “Të thuash gati të njëjtën gjë”, që për mua është libri më fundamental mbi teorinë e përkthimit, bën një trajtim të gjerë të çështjeve të përkthimit, duke potencuar prej në titull se përkthimi nuk mund ta bartë kurrë plotësisht origjinalin në gjuhën tjetër, dhe është më shumë një mënyrë se si ta thuash gati të njëjtën gjë të asaj që po përkthen”, shpjegon Stafasani për Albanian Post.

“Sipas tij”, thotë Stafasani, “ruajtja e kuptimit tekstual e justifikon të ashtuquajturën pabesi gjuhësore, së këtejmi, përkthyesi besnik është pikërisht ai që arrin ta përçojë idenë iniciale të veprës, kulturën në të cilën ka lindur ajo dhe jo ai që mundohet ta ruajë gjithë leksikun dhe referencat, por e bën të pakuptueshëm tekstin në përkthim”.

Umberto Eco

Megjithëse ajo thotë se “Përkthimi është kompromis”, Stafasani thotë se nuk beson se mund të bëhet një kategorizim i tillë “me një ndarje strikte se çka është e përkthyeshme dhe çka jo, pasi fundja, çdo përkthyes i mirë do të dijë ta bëjë edhe të papërkthyeshmen të përkthyeshme”.

Përkthimi i keq

“Para disa kohësh kam lexuar një libër të Miguel de Unamuno-s në gjuhën shqipe. Prej titullit (që përkthyesi e kishte ndryshuar), libri kishte probleme të mëdha në përkthim, probleme drejtshkrimore, sintaksore, kohezive etj. etj. Por, pavarësisht kësaj, fuqia e një shkrimtari si Unamuno ndihej në çdo pjesë. Një risemantizim i mitit biblik të Kainit dhe Abelit, një rrëfim për hakmarrjen dhe xhelozinë. Pra, Unamunoja, pavarësisht problemeve në përkthim, me këtë vepër mbetet sërish Unamunoja, shkrimtari që, përveç risive tematike, solli risi narratologjike në letërsinë botërore”, konsideron studiuesja Orjela Stafasani.

Miguel de Unamuno

Ajo me këtë shembull thotë se dëshiron të tregojë se një përkthyes “pavarësisht problemeve në përkthim, apo gabimeve (shpeshherë joqëllimore), nuk arrin ta mposhtë autorin”.

”Çdo autor i mirë prevalon mbi një përkthim të dobët”.

Gjithesi, ajo thotë se përkthimi i keq nuk duhet të shihet vetëm përkthyesi i vetëm.

“Por, gjithsesi, mendoj se nuk është vetëm faji i një përkthyesi nëse një vepër e përkthyer ka mangësi, të cilitdo lloj (semantike, sintaksore, gramatikore), pasi përkthimi është deri në njëfarë pike punë solitare, pastaj duhet të jetë punë grupore. Shtëpitë botuese duhet të kenë një hierarki pune, ku përkthimi i nënshtrohet leximit të kujdesshëm të korrektorëve, redaktorit/ëve, kryeredaktorit e kështu me radhë, çka do t’i evitonte gabimet e mundshme”, vlerëson ajo.

Sfidat e Orjela Stafasanit në veprat që ka përkthyer

Orjela Stafasani fillimisht kishte përkhyer tri dramat e Luigi Pirandello-s, “Epilogu, Shartimi, Budallai”. Pastaj, tregon ajo, kishte vazhduar me përkthimin e pesëdhjetë poezive të Cesare Pavese-s të përmbledhura në një vëllim poetik dhe më pas dy libra të Sabatos, një libër dialogues mes Sabato-s dhe Borges-it, Mario Vargas Llosa-n, Miguel de Unamuno-n etj.

Luigi Pirandello

“Nisja e rrugëtimit tim në përkthime me Pirandello-n dhe me dramën si zhanër, i ka dy arsye: njëra krejt subjektive, që lidhet me pëlqimin tim ndaj këtij autori të mrekullueshëm që solli ndryshimet më të mëdha në dramaturgjinë e shekullit njëzet dhe arsyeja e dytë është racionale, sprova në përkthim me një zhanër që i ngjan më shumë gjuhës së folur, çka rrjedhimisht përbën lehtësi më të madhe për përkthyesin që është në hapat e parë”, tregon ajo.

Ndërsa thotë se ashtu si gjithçka tjetër edhe përkthimi është punë dhe përvojë.

“Me kalimin e kohës, çdo përkthyes e përvetëson një stil të përkthimit çka e dallon prej përkthyesve të tjerë”.

“Por, megjithatë” Stafasani vlereson se , “sfidat për një përkthyes janë konstante, dhe ato qëndrojnë te zhanret (dramë, poezi, roman, ese), te fusha (letërsi, filozofi etj.) nga e cila po përkthehet, tek autori, ndryshimet e mëdha sintaksore mes gjuhëve, dallimet kulturore etj”.

Orjela Stafasani

“Për të mos e zgjatur më shumë, mund të them se kënaqësinë dhe sfidën më të madhe e përjetoj në poezitë e autorëve, në të cilat duhen ruajtur ritmi, rima, kuptimi. Duke qenë komplet e vetëdijshme për humbjen që mund të përjetojë teksti gjatë përkthimit në gjuhën shqipe, prapë nuk mund të heq dorë nga kjo kënaqësi”.

“Përkthimi i poezive për mua është ushtrim stili, ndërsa zhanret që preferoj në përkthim janë esetë, novelat dhe romanet”.

Ndërsa pyetjes së fundit të Albanian Post se si qëndrojnë përkthimet e saj në raport me veprat origjinale ajo thotë se “do t’i përgjigjesha duke thënë: shpresoj të kem qenë më shumë traduttore sesa traditore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore