Kosova

Organizatat joqeveritare kërkojnë nga Qeveria hapjen e të dhënave të Fondit të Sigurisë


Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Katër organizata joqeveritare kanë kërkuar nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe nga Agjencia për Privatësi dhe Informacion që në pajtim me obligimet që dalin nga legjislacioni i aplikueshëm, të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë.

Kërkesën këto organizata e kanë bërë përmes një komunikate të përbashkët.

“Hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë” është arsyetim abstrakt, i cili nuk mbështetet në fakte”.

“Interpretimi kaq i gjerë i cenimit të “sigurisë rajonale dhe më gjerë” përmes informatave në lidhje me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar, është qartazi i pabazuar”.

Sipas tyre, ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës, ofrojnë të dhëna të detajuara mbi buxhetin e tërësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Për më tepër, një deklarim i tillë, është edhe paradoksal meqenëse të gjitha ligjet për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës ofrojnë të dhëna të detajuara mbi buxhetin e tërësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kështu, është paradoksale që buxheti bazë i Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i publikuar në detaje derisa shumë e një fondi vullnetar të jetë konfidenciale”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket “sigurisë kombëtare”, në komunikatë thuhet se jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e aplikuar në Kosovë sipas nenit 53 të Kushtetutës ka përcaktuar se përkundër faktit se nocioni i sigurisë kombëtare nuk mund të përkufizohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ka një dimension të gjerë vlerësimi, kufijtë e këtij kuptimi nuk mund të shtrihen përtej kuptimit të saj natyror.

Kërkesa që të themelohet Fondi i Sigurisë në Kosovë, është bërë që nga viti 2009, atëherë kur Trupat Mbrojtës të Kosovës (TMK) zyrtarisht u shpërbën në Forca të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ky fond i miratuar me 1 mars 2022 nga Qeveria e Kosovës, parashihet të shërbejë ekskluzivisht vetëm për ushtrinë e Kosovës, qoftë për blerjen e armatimit, qoftë për trajnimin e ushtarëve të Kosovës. Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në në 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri. Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

Fondi i Sigurisë, përpjekja e dëshpëruar e qeverisë për të bërë diçka

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore