Vende

Organizata mjedisore: krijimi i parkut kombëtar të Vjosës


Ka disa vite që Vjosa, është kthyer në një kauzë jo vetëm për shqiptarët por edhe ndërkombëtarët, për mbrojtjen e natyrës dhe e biodiversitetit të saj.

Për këtë arsye 20 organizata mjedisore shqiptare nën drejtimin e EcoAlbania-s, paraqitën propozimin për krijimin e parkut kombëtar të Vjosës tek ministri i mjedisit dhe turizmit Blendi Klosi. Kjo kauzë vjen në mbështetje nga organizatat ndërkombëtare si, Riverwatch, EuroNatur, WWF Adria, Westland International Europe, International Rivers dhe The Nature Conservancy.

Madje kjo çështje ka marrë vëmendje edhe në mediat e huaja, Euronatur ka shkruar për kërkesën për ta kthyer këtë zone në një Park Kombëtar.

Euronatur shprehet se sipas propozimit të organizatave, parku kombëtar duhet të përmbushë standardet e IUCN dhe të përfshijë të gjithë lumin Vjosa në Shqipëri si dhe degët e paprekura të Vjosës si Bënça dhe Shushicë. Në total, Parku Kombëtar i propozuar i Vjosës do të mbulojë rreth 45 mijë hektarë dhe do të mbrojë rreth 300 kilometra rrjedhë ujore. Kjo do të ishte unike në Evropë dhe Vjosa mund të bëhet Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë.

Deri më tani, 1 mijë e 175 specie kafshësh dhe bimësh janë regjistruar përgjatë Vjosës, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të IUCN. Në fakt, numri i specieve të rralla është ndoshta shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj vështirë se janë eksploruar.

Një Park Kombëtar sipas kritereve të IUCN është kategoria më e përshtatshme e mbrojtjes për Vjosën, sepse jo vetëm garanton më së miri mbrojtjen e këtij ekosistemi unik, por gjithashtu sepse synon zhvillimin e ekoturizmit si një formë e turizmit miqësor me mjedisin si dhe edukimin mjedisor.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore