Lajme

Orban i prerë me Ukrainën: Nuk japim më fonde, na thoni ku i keni çuar 70 miliardë euro


Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka bërë tashmë të qartë se nuk do të japë më asnjë fond shtesë për të mbështetur Ukrainën në rezistencën ndaj agresionit rus dhe as do ta mbështesë paketën e re prej 50 miliardë eurosh, që Bashkimi Evropian ka në plan të alokojë për Kievin.

Sipas një raportimi ekskluziv nga agjencia e lajmeve Reuters, Orban ka kërkuar edhe llogari për 70 miliardë euro të fondeve që u janë dhënë autoriteteve ukrainase deri tani, duke kërkuar të dijë se për çfarë ato janë përdorur.

“Një gjë është e qartë: ne hungarezët nuk do t’i japim më shumë para Ukrainës, derisa të na thonë se ku kanë shkuar rreth 70 miliardë euro”, ka thënë prerazi Orban.

Kryeministri hungarez ka qenë në qendër të vëmendjes prej kohësh, pasi nuk ka mbështetur gjithë politikat nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar Ukrainën, duke ngritur një mburojë të qartë rreth Budapestit me mos-linjëzimin e tij me unionin.

Po ashtu, Qeveria e tij ka bërë me dije se ka rezerva për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe këtë proces mundet ta vonojë deri në vjeshtë, duke e lënë Stockholm-in jashtë organizatës më të madhe ushtarake në botë.

Finlanda nga ana tjetër, e ka marrë dritën jeshile dhe është anëtarësuar, pavarësisht se aplikoi njëkohësisht me Suedinë në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore