Shqipëria

Opozitë-mazhorancë “bëhen bashkë” për dy komisione hetimore


Sot, në orën 10:00, do të mbahet seanca e radhës së Kuvendit të Shqipërisë.

Një pikë e nxehtë e rendit të ditës ka të bëjë me ngritjen e komisioneve hetimore për çështjet shumë të diskutuara mes opozitës dhe mazhorancës – “Inceneratorët”,  “Çështja Becchetti” dhe kontrollin e keqpërdorimit të burimeve të administratës shtetërore në zgjedhjet e 25 prillit, njohur ndryshe edhe si “masakra zgjedhore”.

Ndryshe nga vite më parë kur verdikti nuk dihej, kësaj here ai është i qartë a priori. Mazhoranca dhe opozita do të bëjnë bashkë votat për të miratuar dy nga këto tre komisione.

Përkatësisht, beteja e Partisë Demokratike për të pretenduarën “masakër zgjedhore” dhe kërkesa për hetimin e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier, do të marrin miratimin e dy palëve.

Çështja Becchetti nga ana tjetër, do të shohë kartonët e kuq nga mazhoranca, duke mos e kaluar votëbesimin në Parlament të këtij projektvendimi.

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla

Për këtë të fundit kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka thënë hapur se ata do ta rrëzojnë kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e këtij komisioni.

Balla e tha i prerë se kjo çështje duhet të shtyhet sipas sugjerimeve të Avokatit të Shtetit.

Ndërsa komisionin për “Inceneratorët” dhe asaj që PD-ja e cilëson “masakër zgjedhore”,  Balla njoftoi se do të votohet pro – ndonëse do të kërkohet të riformulohet objekti i hetimit.

Ka qenë nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e cila të premten e 1 tetorit bëri me dije se Grupi Parlamentar ka depozituar zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor mbi çështjen “Becchetti”.

Ajo tha se qëllimi qëndron që paratë të mos paguhen nga taksat e qytetarëve, por nga “ata që në të vërtetë shkaktuan dëmin, qeveria”.

Sipas saj, kjo çështje nisi për politikë dhe sot rezulton në tri dëme të mëdha.

Kuvendi i Shqipërisë
Rendet e tjera të ditës

Pika tjetër kryesore e rendit të ditës është kthimi i ligjit “Për të huajt”, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Më herët ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi se ky projektligj është diskutuar gjerësisht me të gjithë organizatat dhe shoqërinë civile – si ndërkombëtare ashtu dhe vendase.

Ky projektligj synon përmirësimin e dispozitave të lidhura me çështjen e punësimit të shtetasve të huaj në Shqipëri, duke qartësuar afatet kohore dhe procedurat për t’u pajisur me leje unike.

Mund të jetë një imazh i ambiente të brendshme

Përveç kësaj në Kuvend do të diskutohen disa projektligje të cilat janë kthyer nga ana e Presidentit.

Njëra është kthimi i ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar. Si dhe ai “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 137/2020 ‘Për buxhetin e vitit 2021’”.

Gjithashtu do të diskutohet për propozimin Kuvendit të Shqipërisë të kandidaturave për anëtarë të Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës.

Pika e fundit ka të bëjë me diskutime – për një orë – për çështje jashtë rendit të ditës.

Zyrtarisht Legjislatura e X-të ka nisur punë më 10 shtator – datë që përkon me dekretimin e saj nga Presidenti Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore