Shqipëria

Opozita në Maqedoni: Qeveria të mos e pranojë propozimin francez, ne heqim dorë nga zgjedhjet e parakohshme – Ballkanin e Hapur e përkrahim


Hristijan Mickoski

“VMRO-DPMNE i propozon LSDM-së në pushtet që ta refuzojë propozimin francez për integrime evropiane dhe ne do të heqim dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Hristijan Mickoski, kreu i partisë më të madhe opozitare maqedonase.

Në një intervistë për Politika, Mickoski vlerëson se protestat masive në Maqedoninë e Veriut marrin mbështetje “jo vetëm nga VMRO, por edhe nga intelektualë, njohës të çështjeve të integrimeve evropiane dhe mbështetës të partisë në pushtet”.

“Ky propozim nuk ofron fillimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë, por përkundrazi, hap negociata të pafundme apo asimilim sipas diktatit bullgar”, tha Mickoski.

Sipas tij, ata janë të gëzuar në Bullgari, sepse propozimi francez përfshin kërkesat e tyre.

Hristijan Mickoski

“Këto kërkesa janë jashtëzakonisht të pafavorshme për Maqedoninë dhe tentojnë të mohojnë identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase”, tha kreu i VMRO DPMNE.

Mickoski shtoi se Maqedonia ka qëllimet e veta dhe duhet të qëndrojë me vendosmëri prapa interesave të saj.

“Ne kemi qenë kandidatë për anëtarësim në BE për 17 vjet dhe ne duhet të punojmë për ta marrë atë datë hyrjeje në BE me dinjitet,” tha ai.

Duke folur për Ballkanin e Hapur, ai tha se e mbështet këtë iniciativë, por që nuk duhet të jetë alternativë ndaj BE-së.

“Reformat e vendeve të Ballkanit janë të zakonshme dhe duhet të vazhdojnë pavarësisht nëse janë rezultat i ndonjë bashkëpunimi rajonal apo zbatohen nga secili vend veç e veç. Unë besoj në idenë e një Ballkani të bashkuar në një Evropë të bashkuar”, tha Mickoski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore