Lajme

Opozita në Kosovë s’duhet ta kritikojë Kurtin, por duhet ta përgëzojë për progresin e arritur në dialog – thotë Lajçaku


Mirosllav Lajçak dhe Albin Kurti

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, u ka bërë thirrje partive opozitare në Prishtinë dhe Beograd të mos i kritikojnë kryeministrin kosovar dhe presidentin serb – Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç – por t’i përgëzojnë për progresin e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Sa herë që bëhet progres, dy liderët – Albin Kurti e Aleksandar Vuçiç – kritikohen ashpër nga opozita. Por, në realitet ata duhet të përgëzohen për progres drejt normalizimit – kjo është diçka e mirë për qytetarët sepse nuk mund të ketë progres drejt normalizimit kur keni kriza në terren”, tha Lajçaku në forumin “BE-ja takon Ballkanin” në Sofje të Bullgarisë.

Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë supozohet se e pranuan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës, pastaj arritën një dakordim për planin e sekuncimit të marrëveshjes një muaj më vonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, disa pjesë të marrëveshjes gjetën zbatim, shumë të tjera ende jo.

Lajçaku theksoi të ketë shpresuar që shumica e pikave të marrëveshjeve do të zbatohen, porse tani mendon krejt ndryshe, veçanërisht duke parë tensionet sporadike midis të dyja palëve dhe mosgatishmërinë për të bërë kompromise drejt normalizimit të marrëdhënieve: “Nuk besoj se Kosova dhe Serbia janë të gatshme për këtë, nuk besoj se shoqëritë janë të gatshme për këtë”.

Marrëveshja e Brukselit/Ohrit ofron njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Dy fqinjë armiqësor që assesi të dalin nga konflikti, do të shkëmbejnë misione të përhershme dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt integrimeve evropiane. Serbia, po ashtu, u zotua se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë, në këmbim, do t’i formalizohet statusi. Në një mënyrë më elegante është pranuar edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, duke siguruar “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit” për komunitetin serb që përbën shumicën në pjesën veriore të vendit. Por, përgjatë rrugës situata u përkeqësua.

Kryeministri Kurti vazhdoi të bllokojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkundër thirrjeve të BE-së që të lëvizë në këtë drejtim, ndërsa presidenti Vuçiç u përball me kritika të ashpra në Serbi, veçanërisht nga partitë opozitare të krahut të djathtë. Rrjedhimisht, zbatimi i marrëveshjeve u bë “vijë e kuqe” për opozitën në të dy anët e kufirit.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë tutje, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore