Kosova

Opozita kujton 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Obligim i yni që të punojmë për forcimin e Kosovës


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka përkujtuar sakrificën e familjes Jashari, duke i quajtur atë “më të mirët e kombit”, për lirinë e shtetit të Kosovës.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri”.

“Sot, në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka thënë se është obligim i secilit që të punojnë për forcimin dhe avancimin e Kosovës.

“Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”.

Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se emri i Adem Jasharit dhe familjes Jashari është “simbol i pashembullt i rezistencës dhe heroizmit”.

“Shtëpia e Jasharajve u bë një simbol i luftës për liri, një fortifikim i vendosur kundër shtypjes dhe okupimit. Nëpërmjet guximit dhe vendosmërisë së tyre, ata u bënë një shembull për gjithë kombin tonë, duke treguar se edhe nën shtypjen më të rëndë, rezistenca është e mundur dhe se fitorja ndaj armikut është e arritshme”.

“Familja heroike Jashari, udhëhequr nga Komandanti legjendar Adem Jashari, nuk u përul para shtypjes dhe okupimit, por zgjodhën të qëndronin drejt për lirinë e tyre dhe të gjithë kombit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka rikujtuar se veprimet e tyre heroike bën që të ndryshoj e gjithë rrjedha e historisë.

“Sakrifica e tyre nuk mund të shihej si një ngjarje e vetme, por si një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë. Akti i tyre heroik përforcoi vendosmërinë dhe rezistencën e popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë së plotë”.

Sipas Haradinajt, Epopeja e UÇK-së na e sjellë në vëmendje rëndësinë e lirisë që e gëzojmë.

“Epopeja e UÇK-së vazhdon të jetë një moment lavdie, frymëzim për të ardhmen tonë si shtet i lirë dhe i pavarur, i integruar në BE dhe NATO, dhe në një marrëdhënie të ngushtë me ShBA-në”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se sakrifica dhe heroizimi i familjes Jashari tregon “shpirtin e një kombi të etur për liri”.

“Secili anëtar i familjes Jashari, u bë fanar shprese në luftën e përgjakshme për çlirim. Nga baca Shaban e te nana Zahide, nga Hamza e te Blerina, nga Ademi e te Kushtrimi 13 vjeçar, pushka e të cilit shkrepi e fundit në atë betejë”, ka shkruar ai.

“Me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës, fjalët qëndresë, sakrificë, guxim e krenari, morën kuptimin e vërtetë. Ato u përbashkuan në një vend, në një familje dhe në një mbiemër: familja Jashari!”.

Krasniqi, potencoi se kjo sakrificë e Jasharëve do të kujtohet përherë në popullin e Kosovës.

“Për tri ditë, familja Jashari ktheu çdo gur të Prekazit në monumente të lavdisë që do të jetojë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar deri në mbarim të kohës”.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviçi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore