Kosova

Opozita kërkon zgjedhjet më 26 janar – Osmani do t’i analizojë propozimet


Ilustrim: Një qytetar i Kosovës duke votuar

26 janari 2025, është data që partitë opozitare kanë propozuar si më të përshtatshmen për organizmin e zgjedhjeve të reja parlamentare, derisa nga partitë e pushtetit, përveç Alternativës së Mimoza Kusari-Lilës, nuk është dhënë ndonjë propozim ende.

Këto propozime u bënë në takimin që e kishte thirrur Presidentja Vjosa Osmani, me krerët e partive politike në vend – ku mungoi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministri Albin Kurti.

Çka u tha pas takimit?

Presidentja Osmani, në një konferencë për media, ka deklaruar se do të analizohen rrethanat për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Osmani, pas takimit me liderët e partive politike ka thënë se data akoma s’është caktuar, por se vetëm ka pasur propozime.

“U pajtuam ta bëjmë analizën e të gjitha datave dhe elementëve përkatëse që edhe ta bëjmë publike datën. Ky vendim akoma nuk është marrë, pasi do ta bëjmë analizën e rrethanave do ta vendosim datën. Nuk kishte ndonjë çështje tjetër që u diskutua”, tha Osmani.

E para vendit theksoi se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca. Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”.

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me Osmanin, ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet nacionale të mbahen më 26 janar të vitit 2025, teksa ka theksuar se vendit i duhet sa më shpejt një Qeveri e re.

“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, shkroi ai në Facebook.

Në këtë linjë ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

“Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton presidentja”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ngjashëm si Abdixhiku dhe Haradinaj propozoi edhe Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“…kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook pas takimit me Osmanin.

Nga ana tjetër, nga partitë që kanë pushtetin, deri më tani është deklaruar vetëm Alternativa e Kusari-Lilës, e cila është edhe Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo ka propozuar dy data: 9 ose 16 shkurtin.

Ndërsa, subjekti politik më i madh në vend Lëvizja Vetëvendosje nuk mori pjesë fare në takim.

Nga kjo parti kishin propozuar që Glauk Konjufca, nënkryetari i VV-së, njëherit Kryetar i Kuvendit, të jetë përfaqësues i tyre, për shkak të “angazhimeve” të kryetarit Albin Kurti, mirëpo presidenca ka refuzuar atë për shkak se takimi ka qenë i thirrur vetëm për kryetarët e partive.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore