Lajme

Opozita kërkon nga Kurti më shumë transparencë në dialog


Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj, Armend Zemaj.

Në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti më shumë sqarime rreth marrëveshjes së arritur, si dhe dialogut për marrëveshje finale.

Kërkesë tjerë e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ishte që Qeveria të mos eksperimentojnë dhe të dëgjojë ndërkombëtarët.

“E kam ditur që do të vijmë deri te kjo pikë meqë e kam lexuar Lajçakun e Escobarin kur qenë këtu se tërësia territoriale nuk është e negociueshme, sovraniteti nuk është i negociueshëm prandaj mos të eksperimentojmë”.

Për Haradinajn, me marrëveshjen e arritur të mërkurën për targat, është evituar rreziku për përshkallëzim të Veriut.

“Kemi disa ditë që kemi drejtuar situatën në Veri, me marrëveshjen e djeshme e kemi evituar rrezikun e parë që mund të kishte viktima qofshin policë apo qytetarë serbë. Por, dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në Veri. Sfida që na pret është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave. Qeveria duhet të fillojë dialogun me serbët lokalë”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kurse, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se për situatën e fundit është krijuar zhurmë që nuk është dashur të bëhet.

“Ke mundur ta marrësh këshillën që e kishe për më shumë se 5 javë. Fatkeqësisht duke mos bërë një gjë të tillë dhe duke u dorëzuar më vjen keq që ke shprehur një pafuqi të Kosovës duke mos mundur të implementosh vendimin për tabelat, ke bërë edhe shpenzime të panevojshme për zgjedhjet”.

“A do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës? A do të ketë normalitet në veri siç ka qenë? Shpresoj e keni kuptuar që është koha për ta përfunduar dialogun”.

Ai ka shtuar se plani franko-gjerman nuk i adreson aspiratat e Kosovës, por se duhet të negociohet.

“Plani franko gjerman si draft aktual nuk i adreson aspiratat e Kosovës, duke të inkurajuar për vendosmëri dhe fokus në arritje të marrëveshjes finale duhet t’i keni parasysh këto 5 shtylla. Ruajta e karakterit kombëtar, njohja formale nga 5 shtetet mosnjohëse, nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO, marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se ajo që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës së fundmi ka qenë e panevojshme dhe e dëmshme.

“Rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkëpunimi me partnerët tanë dhe sidomos me SHBA-në. Atë që ka ndodhur në dy javët e fundit e kemi parë të panevojshme e të dëmshme. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen joserioze që ka Qeveria. Duhet transparencë në dialog jo deklarata kontradiktore dhe qasje selektive”, ka thënë Zemaj.

“Kemi parë edhe qasje destruktive në raport me sigurinë në vend dhe krimin e korrupsionin. Dje qeveria padrejtësisht ka ulur pagat e gjyqtareve dhe prokurorëve. Ulja e organeve është arbitrare dhe ndërhyrje e mbrapshtë në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Zemaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova u pajtua që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Paraprakisht, edhe Serbia ishte pajtuar që të mos lëshojë targa të reja me inicialet “KM” e të ngjashme.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, kur njoftoi arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba, tabela provuese dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore