Lajme

Opozita kërkon intervenimin emergjent të Qeverisë, pas vërshimeve


Ramush Haradinaj dhe Memli Krasniqi

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka theksuar nevojën që institucionet shtetërore t’iu dalin në ndihmë qytetarëve duke e futur këtë fatkeqësi natyrore në “agjendën urgjente” të qeverisë.

“Qytetarët e Rahovecit dhe Gjakovës, si dhe zonave të tjera të dëmtuara, kanë nevojë për ndihmën e shtetit, jo vetëm për të sanuar, por edhe për ta tejkaluar në mënyrë të qëndrueshme këtë situatë, për të cilën nuk ka garanci se nuk mund të përsëritet edhe më vonë”, tha Krasniqi në një postim në Facebook.

Ai pati edhe kritika duke thënë se “qeveria këto nevoja i kupton vetëm pas ballafaqimit të qytetarëve me pasoja”.

Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje qeverisë që të intervenojë menjëherë për shkak të situatës emergjente të krijuar nga vërshimet në rajonin e Gjakovës dhe të Rahovecit.

“Kërkojmë intervenim emergjent nga institucionet qendrore në Prishtinë dhe përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve të shkaktuara”, ka deklaruar Haradinaj, poashtu përmes Facebook-ut.

Ai u shpreh i shqetësuar dhe garantoi se Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës e cila udhëheq me këto dy komuna do t’iu dal në ndihmë qytetarëve.

“Jemi në përkrahje të kryetarëve të komunave Ardian Gjini dhe Smajl Latifi si dhe shtabeve emergjente të komunave Gjakovë e Rahovec, në përpjekjet e tyre që të jenë pranë qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka thënë kryetari i AAK-së.

Reshjet e shiut të premten kanë shkaktuar vërshime në rajonin e Gjakovës dhe atë të Rahovecit.

Bazuar në videot që janë publikuar në rrjetet sociale, lumi Erenik në Gjakovë ka dalë nga shtrati.

Gjendje jo e mirë, siç përshkruhet në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, është edhe në shtëpitë e rrugët e qytetit.

Vendi po përballet me shira të rrëmbyeshëm që nga mbrëmja e së premtes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore