Lajme

Opozita bojkoton mbledhjen e Komisionit për Arsim: Projektligji për tekstet shkollore u kontrabandua


Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka dështuar që ta shqyrtojë Projektligjin për tekstet shkollore, pasi që opozita e ka bojkotuar këtë mbledhje, për shkak se thonë se ligji në fjalë është miratuar në mënyrë të kontrabanduar.

Në këtë drejtim, opozita ka bërë të qartë se nuk do të marrin pjesë në këtë komision për të shqyrtuar, siç e quajnë ata, “Ligjin e kontrabanduar”, pasi që hedhin dyshime se gjatë miratimit në kuvend, ky projektligj nuk i ka pasur votat e nevojshme.

Kryetar i këtij komisioni që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, miratoi rendin e ditës pas asnjë votë kundër, për shkak se opozita e kishte lëshuar mbledhjen, derisa janë miratuar amendamentet që janë ndryshuar nga grupi punues.

Sipas opozitës, ky ligj është kontrabanduar nga pushteti. Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, kishte thënë se në momentin e votimit në kuvend nuk kanë marrë pjesë 61 deputetë, aq sa janë të nevojshëm për të kaluar këtë ligj.

Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se projektligj paraqet legjislacionin thelbësor për sigurimin e cilësisë në arsim në Kosovë dhe, sipas saj, është shumë i rëndësishëm sa i përket arritjes së synimeve për sigurimin e teksteve cilësore për fëmijët tanë.

Nagavci kishte theksuar se aprovimi i këtij projektligji është me interes të veçantë për zhvillimin e sektorit të arsimit parauniversitar në vend dhe zbatimin e strategjisë së arsimit 2022-2026.

Ndryshe, Projektligji në fjalë parasheh – ndër të tjera – përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore dhe hap rrugën për tekste mësimore digjitale.

“Ministre shko pi pak ujë” – Deputetët e opozitës e detyrojnë Nagavcin të largohet nga Komisioni për Arsim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore