

Reagimi i disa mediave pranë VMRO-së ndaj shkrimit tim “Maqedonia pa shqiptarët nuk është shtet, është rrezik”, që duket se nuk është lexuar, por vetëm është interpretuar sipas nevojës politike, flet më shumë për ta se sa për vetë tekstin.
Që në fillim duhet thënë qartë pse po ndodh kjo. Sepse për vite me radhë është ndjekur një strategji e qëllimshme për fragmentimin e përfaqësimit politik shqiptar. Një pjesë e partive janë dobësuar dhe delegjitimuar në emër të korrupsionit deri në shpërbërje dhe poshtërim publik. Një tjetër pjesë është ndërtuar si përfaqësim artificial, individë që flasin shqip, por që politikisht funksionojnë në logjikën e pushtetit maqedonas.
Ky nuk është pluralizëm. Është shpërbërje e qëllimshme e një faktori politik.
Reagimi që po shpërndahet në disa media nuk është thjesht keqinterpretim. Është një reflektim i qartë i kësaj linje politike që vjen nga VMRO dhe përkthehet përmes gazetave të saj.

Në rregull. Por e vërteta është ndryshe.
Unë nuk kam bërë asnjë kërcënim. Kam bërë atë që bëj prej më shumë se 30 vitesh, kam lexuar një realitet politik që po shkon në drejtim të gabuar. Dhe këtë e kam thënë jo sot, por prej kohësh.
Kam paralajmëruar se kur të drejtat nuk emërtohen qartë në Kushtetutë dhe ligje, kur shqiptarët trajtohen si “bashkësi” dhe jo si faktor shtetformues, ato të drejta bëhen të negociueshme. Kam thënë se një e drejtë që kërkohet çdo ditë nuk është e garantuar. Dhe sot, studentët janë në rrugë pikërisht për këtë.
Kam thënë se nuk mjafton të kesh ligje, nëse nuk ke vullnet për t’i zbatuar. Dhe sot, problemi nuk është mungesa e ligjit për gjuhën. Problemi është refuzimi i zbatimit të tij.
Kam thënë se boshllëku që lihet në arsim, kulturë dhe ekonomi nuk mbetet bosh. Ai mbushet. Dhe është mbushur nga Turqia, Arabia Saudite dhe Irani, ndërsa Evropa ka munguar. Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e një vizioni të gabuar.
Sepse kjo është ajo që nuk duan ta kuptojnë.
Problemi nuk është vetëm politik. Është mënyra se si e shohin shqiptarin në këtë shtet.
E tolerojnë në hapësirën fetare, por nuk e fuqizojnë në arsim, kulturë dhe ekonomi. E lejojnë të jetë i dukshëm në xhami, por nuk e duan të barabartë në universitet, në institucione dhe në vendimmarrje.
Kjo nuk është bashkëjetesë. Kjo është zhvendosje e heshtur e rolit të një komuniteti.
Dhe kur një komunitet zhvendoset nga politika te feja, nga arsimi te identiteti i ngushtë, atëherë ai dobësohet si faktor. Dhe kur dobësohet një faktor shtetformues, dobësohet vetë shteti.
Kjo është ajo që kam thënë.
Dhe kjo nuk është kërcënim. Është paralajmërim.
Sepse ky rajon e njeh shumë mirë çfarë ndodh kur të drejtat relativizohen dhe kur balancat prishen. Konflikti i vitit 2001 nuk ishte aksident. Ishte rezultat i një politike që nuk deshi të kuptojë në kohë.
Sot, kushdo që e sheh këtë si “kërcënim”, në fakt po përpiqet të shmangë përgjegjësinë.
Sepse e vërteta është e thjeshtë.
Shqiptarët nuk janë problem i këtij shteti. Ata janë një nga arsyet pse ky shtet ka mbetur i qëndrueshëm.
Dhe çdo politikë që nuk e kupton këtë, nuk është vetëm e gabuar. Është e rrezikshme.