Trump apo Kurti, kush e vendos presidentin e Kosovës?

A është Vjosa Osmani zgjedhje e Kosovës apo provë force mes Uashingtonit dhe Prishtinës. Dhjetë arsye pse Vjosa Osmani mund të jetë presidente dhe pse Albin Kurti nuk e do
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Trump apo Kurti, kush e vendos presidentin e Kosovës?

Baton Haxhiu
Loading Icons...

“Nëse keni problem me Serbinë, më telefono”.

Kjo fjali e Donald Trump drejtuar Vjosa Osmanit në Uashington nuk ishte një kompliment diplomatik i zakonshëm, por ishte një sinjal i qartë politik se Shtëpia e Bardhë e sheh atë si një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi, dhe kur kësaj i shtohet takimi i papritur me Marco Rubion, atëherë mesazhi bëhet edhe më i fortë, sepse Amerika duket se po e mban Osmanin si partnere të besueshme në Kosovë, ndoshta si figurën më të pranueshme në raport me Serbinë dhe arkitekturën e sigurisë në rajon.

Këtu nis dilema reale për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, sepse procesi formal i konsultimeve që ka nisur Albin Kurti me opozitën duket më shumë si një ushtrim procedural sesa si një vullnet i qartë për marrëveshje, ndërkohë që zgjedhja e presidentit është thelbësore për të shmangur një cikël të tretë zgjedhjesh brenda një periudhe të shkurtër, gjë që do të konfirmonte jo vetëm shumicën e qëndrueshme të Kurtit, por edhe paqëndrueshmërinë kronike të republikës që prej më shumë se një viti voton pa prodhuar ndryshim real.

Në planin institucional, procedura është e qartë, sepse duhen 80 vota në dy raundet e para dhe 61 në raundin e tretë, dhe Albin Kurti i ka numrat për raundin e tretë, prandaj sekreti nuk është matematikor, por politik, sepse pyetja reale është nëse ai do t’i mbledhë 30 nënshkrime për Vjosa Osmanin që ajo të hyjë në garë, apo do ta lërë këtë hap në dorë të opozitës, duke dërguar sinjal se nuk e dëshiron atë presidente.

Ndërkohë situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur kujtohet se në Davos iniciativa e Kurtit për ‘House of Kosova’ u zbeh në hije pas pjesëmarrjes së Osmanit në Bordin e Paqes, sepse simbolika e bexhit të liderit që mbante ajo dhe bexhit të vizitorit që kishte Kurti krijoi një kontrast që në politikë peshon më shumë se deklaratat, dhe ky kontrast u thellua nga fakti se ai refuzoi ta takojë para se ajo të nënshkruante dokumentin në Uashington, një veprim që nuk ishte thjesht mungesë koordinimi, por shenjë e qartë e një tensioni strategjik.

Në këtë kontekst, Vjosa Osmani mund të jetë presidente, sepse ajo ka mbështetje të dukshme amerikane dhe një profil ndërkombëtar më të fortë se çdo alternativë tjetër aktuale, sepse opozita nuk ka arritur të krijojë konsensus për një emër të përbashkët, sepse presioni amerikan mund të bëhet përcaktues nëse situata tensionohet, dhe sepse shkuarja në zgjedhje të reja do të shihej si destabilizim artificial që do ta dëmtonte imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Por në të njëjtën kohë është e qartë se Albin Kurti nuk e dëshiron Osmanin në një mandat të ri, sepse kjo do të nënkuptonte vazhdimin e një qendre të dytë legjitimiteti ndërkombëtar brenda shtetit, gjë që për një lider me prirje për centralizim përbën problem strategjik, pasi ai kërkon që komunikimi me Uashingtonin dhe Brukselin të kalojë vetëm përmes tij.

Në këtë pikë hyn në lojë ideja e kandidaturës nga familja Jashari, e cila do ta vinte PDK dhe AAK në një pozitë morale të vështirë, sepse refuzimi i një emri me simbolikë të tillë do të interpretohej si mungesë patriotizmi, ndërsa pranimi do të konsolidonte presidencën brenda orbitës së Vetëvendosjes, dhe nëse procesi dështon dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, Kurti ka llogarinë e vet elektorale, sepse ai beson se një pjesë e votave të AAK do të kalojnë drejt tij dhe se PDK do të zvogëlohet më tej, duke e zhvendosur sistemin drejt një dominimi më të fortë të tij.

Prandaj zgjedhja e presidentit nuk është çështje emri, por çështje arkitekture pushteti, sepse nëse Osmani rizgjidhet, Kosova do të ketë dy qendra legjitimiteti ndërkombëtar, ndërsa nëse zgjidhet dikush tjetër i Kurtit, ai do të konsolidojë monopolin e komunikimit me Perëndimin, dhe nëse shkohet në zgjedhje, kjo nuk do të jetë krizë e opozitës, por pasojë e mosdurimit të një kryeministri që nuk toleron ndërmjetës.

Në fund pyetja reale nuk është nëse Vjosa Osmani do të bëhet presidente, por nëse Albin Kurti është i gatshëm të ndajë legjitimitetin ndërkombëtar me dikë tjetër, sepse nëse përgjigjja është jo, atëherë procesi që po zhvillohet sot nuk është konsultim, por përgatitje për përballje.

Megjithatë, duhet thënë qartë se Albin Kurti nuk është i detyruar politikisht të zgjedhë Vjosa Osmanin, sepse ai mund të gjejë një emër tjetër edhe pa marrëveshje me asnjë parti opozitare. Ai mund të nxjerrë në skenë një figurë si Glauk Konjufca, ose një kandidat tjetër të pranueshëm për shumicën e tij, duke shmangur nevojën për kompromis formal dhe duke e ruajtur kontrollin e plotë mbi procesin.

Por pikërisht këtu lind pyetja më e rëndësishme dhe më e ndërlikuar. Pse Donika Gërvalla dhe Faton Peci nuk e duan Vjosa Osmanin presidente? Pse fraksioni që dikur u ngrit mbi hijen e saj sot duket i ftohtë ndaj rikandidimit të saj? Dhe pse Albin Kurti, duke e ditur se ajo i ka shërbyer në çdo betejë institucionale dhe ndërkombëtare, nuk e shpërblen me një mandat të dytë?

Sepse politika nuk është shpërblim. Është balancë force.

Vjosa Osmani në presidencë nuk është vetëm një figurë ceremoniale. Ajo është një kanal. Një kanal drejt Uashingtonit që nuk kalon përmes Kryeministrisë. Dhe për një lider që e ndërton pushtetin mbi kontrollin e narrativës dhe komunikimit, një kanal paralel është gjithmonë problem.

Prandaj procesi i zgjedhjes së presidentit nuk është debat mbi emrin, por mbi qendrën e gravitetit të pushtetit në Kosovë. Nëse zgjidhet Osmani, atëherë legjitimiteti ndërkombëtar ndahet. Nëse zgjidhet dikush tjetër i Kurtit, ai konsolidohet.

Dhe në këtë pikë, zgjedhja e presidentit nuk është test për Vjosa Osmanin. Është test për Albin Kurtin. Sepse historia politike na mëson se liderët që nuk tolerojnë ndërmjetës, në fund nuk ndërtojnë institucione, por ndërtojnë varësi.

Dhe shtetet që ndërtohen mbi varësi personale, jo mbi balanca institucionale, mund të duken të forta për një kohë, por në thelb janë të brishta.