Së voni, kujdesi ndaj trashëgimisë, ndërhyrjet, burimet njerëzore dhe vetëdija për ruajtjen e saj janë në rritje. Varrë e madhe mbetet politizimi i saj, qasja kryeneçe dhe histerike, dhe përdorimi i saj për shfryrje personale dhe politike. Selektim i skajshëm i asaj që konsiderohet e rëndësishme dhe asaj që lihet në harresë. Mungesa e një ideje politike të qartë, që drejton dhe edukon, ma shumë sesa ndalon zhvillimin. Fundi i fundit, synimi nuk është “diktatura e trashëgimisë”, por që ajo të shërbej si pjesë e gjallë e jona dhe mjet funksional i identitetit tonë.
Shpesh, ajo që përfaqëson një element të trashëgimisë është më e rëndësishme sesa vetë objekti si i tillë. Ta zëmë, për pellgun shqipfolës emri i Teatrit Kombëtar në Tiranë “Kosova” do duhet të ishte një brengë më e madhe, sesa vetë objekti, që u shkërmoç me një të rame të lugës mekanike, si një kështjellë e kashtës. Sot, Grandi është nën mbrojtje. Por, çka vërtet përfaqëson: objekt për t’pame? Aktualisht, si për disa institucione, ashtu edhe për një pjesë bukur të madhe të shoqërisë civile, duket më e parësore është ruajtja e një fasade qireqi të shëmtuar të Teatrit në Prishtinë, apo asfaltit të sheshit Xhorxh Bush, sesa ta zëmë kujdesi për varrezat e dëshmorëve në oborrin e xhamisë në Mitrovicë, shembja e po asaj xhamie 200-vjeçare, apo ndërrimi i emrit të saj.
Thonë, ligji është si llastiku! Tek popujt e lirë, kjo është diçka pozitive. Edhe në përmbajte ai duhet të jetë mjaft fleksibil dhe i sofistikuar që të japë lirinë e nevojshme, duke marrë parasysh shkallë të ndryshme e të përcaktuara mirë për objekte të ndryshme dhe hapësira, me qasje të ndryshme sipas rastit. Nuk mund të trajtohet njësoj Kulla e Jasharëve, ku edhe vetë peizazhi ka rëndësi të madhe për ruajtjen e veçorive shpirtërore si hapësirë pelegrinazhi, me objekte të tjera si Grandi – apo Radio Kosova, në zemër të një zone biznesi.
Komuna si instanca më e lartë përgjegjëse për politikat e kryeqytetit, e zgjedhur me votë do duhet të kishte fjalën kyqe në zhvillimin dhe kahjen që i jepe kësaj trashëgimie, rregullore kjo që duhet, besoj, të parashihet brenda Drejtorisë së Urbanizmit. A duhet çdo biznes përreth që bën një intervenim rreth lokalit dhe ka lejen e Komunës të marr leje edhe te kjo byro që e paska për detyrë monitorimin e gjithçkaje madje mbi vet komunën? Kjo do ishte fatalitet burokratik.
Problematik bëhet pastaj edhe vet funksionimi i institucioneve që operojnë në objekte të tilla. Një nga sekretet publike është edhe ankesa: “Pse i keni lyer muret pa marrë leje?” – një kritikë që institucionet qendrore dhe lokale për mbrojtjen e trashëgimisë u drejtojnë disa institucioneve të tjera, të cilat kanë fatin e keq të ndodhen në objekte të mbrojtura, që shpesh nuk dihet as pse këto objekte janë në atë listë. Muret e një objekti nga vitet ’70, të lyer me qindra herë deri më tani, të barasvlershme me veprat e Onufrit. Mure që edhe Muzeu i Orseut do t’i kishte zili. Këto intervenime shpesh janë matje forcash dhe tregim i muskujve të ndonjë drejtori të sapo zgjedhur, që do ta bind dikë se po kryen punë, pa ndikim real. Por që struken sa herë është çeshtje biznesore apo mafie ndërtimi.
Shpërthimi histerik i këtyre gardianëve të këtij qireqi ideologjik u pa edhe disa vite më parë me rastin e stadiumit të Prishtinës, kur u propozua ideja për ndërtimin e një liqeni, diçka që i mungon kaq shumë kryeqytetit (Zagrebi tashmë i ka dy të tillë, për mosbesuesit), dhe për zhvendosjen e stadiumit në projektin e kampusit Olimpik, me të gjitha kushtet që kërkon stadiumi i denjë i kryeqytetit të republikës sonë. Por, kryeqytetasit, të madhej e të vegjël, u hodhën në mbrojtje të asaj që e quajtën “simbol të rezistencës”, të njëjtit që ka mundësi që kurrë koma në Prekaz s’i ka shkel. Pati edhe propozime, për me fut at shëmti, pra, stadiumin në listën e trashëgimisë së mbrojtur arkitektonike.
Në krejt këtë rrokulli, një është stadium i mbrojtur – në Angli, pikërisht në fushë ku u luajt për herë të parë futbolli. Ndërkohë futja e stadiumit në mbrojtje për siç pretendohet, pra, rezistencës, së pari si diçka që vështirë qëndron si fakt, ja humb kuptimin vet rezistencës, por edhe funksionin stadiumit i cili në fund të fundit do shërbej dhe do duhet të shërbej për futboll. Kosova e ka simbolin e saj më të denjë të rezistencës, simbol i vetëmjaftueshëm, Prekazi, por jo edhe një stadium të denjë të sportit.
Histeria vazhdon, natyrshëm, si levë politike. Rasti i ngjashëm është ai i nënkalimit, i cili, jo zyrtarisht po thuhet por edhe po proklamohet, se duhet ndalë se “mund” të ketë mbetje arkeologjike mes shtresave ku do punohet. Çfarë gjendje psikoze paranoje është kjo? Institucionet janë të fundit që veprojnë mbi premisa paranoje. Ato në fakt janë të krijuara ti kalojnë inkompetencat intutive dhe të marrin vendime kushtimisht ta quajmë shkencore. Instituti i Arkeologjisë nuk ndodhet as pesë metra larg nga vendi i ngjarjes. Projekti duhet të obligohet të financoj gjurmimet arkeologjike.
Le të shfrytëzohet rasti të gërmohet, ta shohim çka fshehë Prishtina e vjetër. Le të pasurohet Muzeu që brenda vetës mbanë 500 vjet “dark age” në pavijonin e tij. Financimet e tilla janë praktikë e shëndetshme dhe i shërbejnë zhvillimit urbanistik dhe shkencës në të njëjtën kohë. Në Zvicër, gërmimet janë të ndaluara, përveç rasteve kur ndërtohet diçka. Pra, të gjitha gërmimet janë gërmime shpëtimi, pa përjashtim. Rasti i kësaj bllokade e ka shty me vite krijimin e një Old Town-i Prishtinas. E ka ngulfatur potencialin kulturorë të trashëgimisë të asaj pjese, gjithnjë duke mirëmbajt trafikun.
Ma e rëndësishmja; trashëgimia krijohet në të tashmen. Asaj i shtohen elemente të reja rrugës. Futja në mbrojtje e një objekti duhet me i jep dinamizëm objektit. Prandaj futet nën mbrojtje. Që të përmirësohet dhe mirëpërdoret. Arka e Triumfit në Paris ka pasur disa faza të mbamendjes së saj. Fillimisht i projektuar nga Napoleoni, e më vonë ajo mbarti edhe varret e ushtarëve të panjohur nga Lufta e Parë Botërore, sot ka metronë përfundi e muzeun brenda. Krijimi i sheshit sot ja rrit vlerën objekteve përreth, dhe nuk ka logjik të shëndoshë që e thotë të kundërtën. Ku ka zonë të mbrojtur historike me kerre, tym e zhurmë? Ndoshta elemente të sheshit të ri do jenë nesër pjesë e trashëgimisë. Nuk e dimë dhe ndoshta nuk është me rëndësi.
Lufta kundër hapësirave të reja publike pa vetura është vetëm një qireq-ideologji politike. Çdo person që trashëgiminë e ka brengë duhet ta luftojë këtë ideologji. Këto katër vite ishin një mundësi e mirë me pa vërtet një transformim të Prishtinës sa i përket trashëgimisë, me një kryetar ambicioz me vizion të qartë kapitalist dhe një Ministër të Kulturës që i njeh mirë pikërisht këto problematika. Si duket Prishtina e humbi këtë mundësi, përderisa një e ardhme si duhet për trashëgiminë ngjan ende e largët.