Teknologjia apo fëmijët?

Nga një perspektivë, shqetësimi nuk është i pabazë. Por, në thelb, kjo nuk është hera e parë që shoqëria ngre të njëjtin alarm, thjesht mjeti ka ndryshuar
Nadia Elbasani
Loading Icons...
test12

Teknologjia apo fëmijët?

Nadia Elbasani
Loading Icons...

Historikisht, shoqëria ka pasur një “armik” të ri kur bëhet fjalë për mirërritjen e fëmijëve. 20 vite më parë ishte televizioni, sot janë mediat sociale. Nesër, ndoshta, do të jenë aplikacionet e Inteligjencës Artificiale.

Në vitet 90’ dhe 2000, televizioni shihej si kërcënimi kryesor për zhvillimin e fëmijëve. Kritikat ishin të drejtpërdrejta, si p.sh. mungesa e aktivitetit fizik, ndikimi negativ në përqendrim etj.

Sot, narrativa është zhvendosur te mediat sociale, por me një kompleksitet shumë më të gjerë. Flasim për stimulim të sistemit nervor përmes “dopamine loops”, algoritme që janë ndërtuar për të mbajtur vëmendjen sa më gjatë, ulje të durimit, si dhe për ekspozim të hershëm ndaj krahasimit social.

Po ashtu, mënyra e funksionimit të algoritmit në disa rrjete sociale dhe ekspozimi i videove që krijojnë kontestime/debate në rrjet, mban peshën kryesore të “For You Page” edhe te profilet e fëmijëve.

Nga një perspektivë, shqetësimi nuk është i pabazë. Por, në thelb, kjo nuk është hera e parë që shoqëria ngre të njëjtin alarm, thjesht mjeti ka ndryshuar.

Ndërkohë, një debat i ri do të marrë formë pak vite më vonë, roli i Inteligjencës Artificiale në mënyrën se si fëmijët do të mendojnë. Aplikacionet me AI japin përgjigje të menjëhershme, reduktojnë nevojën për kërkim të thellë dhe ofrojnë “shortcut” për të menduarin kritik te fëmijët.

Lista e “armiqve” vazhdon të zgjerohet. Megjithatë, teknologjia nuk ka ndryshuar natyrën njerëzore; ajo vetëm e ka amplifikuar atë. Çdo “scroll” pa fund, çdo orë e humbur, çdo shmangie nga komunikimi real nuk është vetëm efekt i algoritmit, është edhe një zgjedhje. Teknologjitë janë ndërtuar për të tërhequr vëmendjen, por janë përdoruesit që vendosin sa gjatë qëndrojnë. Dhe kur bëhet fjalë për fëmijët, kjo përgjegjësi nuk është e tyre. Është e prindërve.

Në këto vite “fatura” e prindërimit është shumë herë më e madhe në aspektin intelektual. Prindërit duhet të jenë interpretues të teknologjisë, shpjegues të saj dhe njohës të mirë të mekanizmave që i bëjnë teknologjitë e dëmshme. Kjo nënkupton komunikim aktiv, njohje të trendeve që ndjek brezi i ri, si dhe dallim të rreziqeve reale që vijnë si faturë e rëndë.

Teknologjia do të vazhdojë të evoluojë e nëse ky evoluim nuk ecën paralel me një njohje dhe komunikim mes brezave, padyshim që “armiqtë” e fëmijëve do vijojnë të jenë prezent, do godasin vazhdimisht, por çdo dekadë më lëkurë të ndryshme.

Nëse vazhdojmë të kërkojmë gjithmonë fajtorin jashtë vetes, do të jemi gjithmonë një hap pas. Sfida reale nuk është të luftojmë teknologjinë, por të kuptojmë marrëdhënien tonë me të dhe me fëmijët. Sepse, në fund, çdo kurth digjital funksionon vetëm nëse ne zgjedhim të hyjmë në të.

Nadia Elbasani është lektore universtare dhe eksperte në fushën e sigurisë kibernetike dhe Inteligjencës Artificiale