

Në një shoqëri që ende nuk e ka qartësuar raportin me vetveten, figura si Sevdai Radogoshi shfaqen si paradokse të absurdit. Një njeri që ka krijuar personazhin e tij publik përmes humorit, e ulë nivelin e vetës deri në shpërfaqje përbuzjeje që nuk ka asnjë lidhje me humorin e vërtetë, me atë llojin e humorit që ndriçon dhe i bashkon njerëzit në vend të atij llojit që përçanë dhe nënçmon.
Dhe kjo dallohet menjëherë, pa pasur nevojë për shumë analizë.
Mjafton të kujtohet aktori dhe komediani i madh Robin Williams, i cili kurrë nuk e përdori skenën për ta nënçmuar dhe për ta bërë tjetrin më të vogël, por për ta bërë publikun ta kuptojë se sa i vogël bëhet njeriu kur mendon se është më i madh se të tjerët. Ai përqeshte absurditetet e ekzistencës, konstruktet shoqërore e madje edhe vetvetën, por kurrë dinjitetin e dikujt tjetër. Pikërisht për këtë ka mbetur i madh.
Në momentin që dikush del dhe thotë se studentët dhe njerëzit nga Malisheva apo Klina nuk kanë shkuar kurrë në teatër dhe për këtë arsye janë të prapambetur, ky dikushi më nuk po flet për kulturë. Këtu fillon problemi. Sepse kjo nuk është hera e parë që e dëgjojmë këtë lloj mendësie.
Në fakt, ky thjesht po e ekspozon mungesën e kultures tek vetja.
Kjo nuk është kulturë por përbuzje e maskuar si kulturë. Kjo është një nga ato momentet kur e kupton se problemi nuk është mungesa e kulturës aq sa mënyra se si ajo keqkuptohet.
Në këtë kontekst, çka në të vërtetë është teatri?
Po të ktheheshim tek Shekspiri, do të shihnim se teatri kurrë nuk ka qenë mjet për të ngritur disa duke i zvogëluar të tjerët. Në dramat e tij, mbretërit rrëzohen e të përulurit ngriten, ndërsa fisnikëria nuk është çështje prejardhjeje por karakteri. Mjafton të kujtojmë Mbretin Lear, një mbret që mishëron pushtetin dhe qytetërimin e që përfundon i zhveshur nga të gjitha iluzionet, derisa e vërteta rëndom gjendet tek ata që ai i kishte përbuzur.
Ky është teatri.
Jo ngritje e disave duke ulur të tjerët, por çmontimi i hubrisit.
Tek Dickensi, e njëjta ide shfaqet ndryshe. Ai kurrë nuk i përqeshi të varfërit pse nuk kishin qasje në kulturë, por e akuzonte shoqërinë që ua kishte mohuar atë. Nuk i quante primitivë, por e vinte në pah pabarazinë që i kishte lënë jashtë. Për këtë arsye, Dickensi mbetet një ndërgjegje morale e letërsisë.
Kjo është kulturë.
Pra, përdorimi i teatrit si kriter superioriteti nuk pasqyron kulturën e vërtetë por keqkuptimin e thellë të saj.
Teatri nuk është sallë ku hyn dhe del më i madh.
Teatri është pasqyrë ku, nëse ke guxim, e sheh sa i vogël që je.
Këtu fillon dilema dhe problemi ynë real që tejkalon përvojat individuale ose deklaratat e thjeshta.
Në Kosovë, ndarja mes qytetit dhe fshatit nuk lind nga ndonjë pabarazi e natyrshme njerëzore, por buron si pasojë e historisë, e mungesës së investimeve, e regjimeve dhe qeverive të ndryshme që për shumë dekada nuk kanë krijuar qasje të barabarta në arsim, kulturë dhe mundësi.
Të tallesh sot me dikë që nuk ka pasur mundësi të shkojë në teatër nuk është mendim por mënyrë e mizeries shoqërore që përpiqet të duket si mendim.
Është ai privilegji që nuk e njeh veten si privilegj.
Le të jemi të sinqertë.
Problemi nuk është mungesa e eksperiencës së teatrit.
Problemi është mungesa e karakterit.
Një njeri që e mat vlerën e tjetrit me vendin se nga vjen nuk është i kulturuar. Këtu nuk ka rëndësi sa libra ka lexuar apo sa shfaqje ka parë. Ai mbetet thjesht një njeri me mendësi të varfër.
Kur një shoqëri e toleron këtë arrogancë, ajo fillon të shthurret nga brenda. Sepse përbuzja kthehet në normë.
Ironia bëhet edhe më e thellë kur kujtojmë se vetë Gjakova, nga ku vjen ky “mendimtari” nuk është ndërtuar mbi përbuzje, por mbi mjeshtëri, tregti dhe një kulturë përfshirëse. Ta përdorësh këtë trashëgimi për t’i përbuzur të tjerët nuk është ta ruash atë.
Është ta tradhtosh.
Sepse në fund, çështja nuk është kush ka shkuar ndonjëherë në teatër e kush jo.
Çështja është kush ka mësuar diçka nga kjo përvojë.
E nëse pas gjithë asaj që teatri, letërsia dhe arti kanë ofruar ndër shekuj, dikush vazhdon të besojë se dinjiteti mund të matet me prejardhje apo me ekspozim kulturor, atëherë ai nuk është thjesht gabim por dëshmi e gjallë se sa lehtë ekziston injoranca edhe aty ku pretendohet kultura.
Kjo sigurisht është ajo e vërteta më e pakëndshme nga të gjitha.
Sepse shoqëria nuk dështon kur disa njerëz nuk shkojnë në teatër.
Ajo dështon kur njerëzit dalin prej teatrit pa mësuar asgjë.