Strategjia e re amerikane e Sigurisë dhe reflektimi i rendit të ri ndërkombëtar në Ballkan

Një rend i ri global po merr formë, teksa strategjia e re amerikane sinjalizon largim nga multilateralizmi klasik dhe ripozicionim të fuqive të mëdha me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën dhe Kosovën
Agon Maliqi
Loading Icons...
test12

Strategjia e re amerikane e Sigurisë dhe reflektimi i rendit të ri ndërkombëtar në Ballkan

Agon Maliqi
Loading Icons...

Shtëpia e Bardhë e publikoi dje Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, dokument udhëzues së paku edhe për tre vitet e ardhshme, por i cila e reflekton edhe një trend afatgjatë të ndryshimit të rolit të SHBA në botë. Strategjia parasheh shkëputje të thellë prej disa parimeve që kanë qenë në bosht të politikës amerikane që pas Luftës së Dytë Botërore – mbi të gjitha heqjen dorë nga ambicia për rend ndërkombëtar të bazuar në parime universale (si psh ato për të drejtat e njeriut) dhe në institucione multilaterale si OKB, WTO, BE etj.

Pra e kemi kalim të prerë nga multilateralizmi – apo qeverisja botërore përmes bashkëpunimit – drejt multipolaritetit – apo drejt një botë të përcaktuar nga sferat e interesit të shteteve sovrane, ku faktor përcaktues është fuqia, dhe ku fuqitë e mëdha vendosin për botën në stilin e Jaltas.

Strategjia e re amerikane duhet lexuar në kontekst të një shkrimi të shkëlqyeshëm të botuar para disa ditësh në Foreign Affairs nga Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb. Aty ai paralajmëroi se bota tashmë zyrtarisht ka hyrë në një rend të ri ndërkombëtar pas atij të viteve 1920-1945 (që zgjati 25 vjet); 1945-1990 (45 vjet) dhe 1990-2025 (35 vjet).

Kjo sepse institucionet e rendit ndërkombëtar (të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore) nuk e reflektojnë më fuqinë dhe peshën e shteteve sot dhe nuk janë në gjendje ta kryejnë punën për të cilën janë krijuar, e që është zgjidhja e dallimeve dhe ndeshjeve mes interesave dhe vlerave. OKB-ja si bosht i rendit ndërkombëtar pra është bërë si një lloj rrobe e cila nuk i përshtatet më një trupi që ka ndryshuar formë.

Dinamika kryesore e rendit të ri sipas Stubb është gara në mes të tre boshteve:
1) Perëndimi (SHBA, BE + Japonia, Australia dhe vendet pro-perendimore në Azi);
2) Lindja (Kina, Rusia dhe satelitët e tyre)
3) Jugu (Amerika Latine, Afrika, Azia e Jugut)

Stubb paralajmëron se faktorët përcaktues në garën për dominim në mes të Perendimit dhe Lindjes janë:
1) Me kë do të rreshtohet Jugu, fuqia e të cilit është rritur përtej asaj që infrastruktura e sotme ndërkombëtare i ka dhënë hise (psh në OKB, ku asnjë vend i Jugut nuk ka ulëse të përhershme në Këshillin e Sigurisë.)
2) Si do të pozicionohen shtetet kyçe balancuese: psh. Turqia apo Arabia Saudite, vende që kanë fuqi të mjaftushme për të ndjekur politikë të pavarur shumë vektorëshe, dhe për të qenë në pozitë përcaktuese për ta lëvizur balancin e fuqisë nga njëri bosht te tjetri. Nismat si “Abraham Accords” janë njëfarë përpjekjeje për ta orientuar psh. Lindjen e Mesme më afër perëndimit.

Në kontekst të kësaj gare mes boshteve, strategjia e re amerikane me tone përçmuese e trajton Evropën pak a shumë si zonë të sëmurë të boshtit perëndimor, të paaftë (barrë) për mbrojtje dhe në rënie ekonomike dhe morale (nga emigracioni). Strategjia megjithatë e sheh Evropën si jetike për SHBA-në për shkak të sasisë së tregtisë që kalon përmes Atlantikut (1/3 e tregtisë botërore). Për këtë arsye SHBA mbetet e zotuar ndaj së paku një institucioni multilateral që e mbron këtë kanal të tregtisë – NATO-n. Por edhe këtu shprehet skepticizëm për zgjerim pa fund të NATO-s.

SHBA e sheh rolin e saj në Evropë si akoma të nevojshëm për të siguruar stabilitet në marrëdhëniet e Evropës me Rusinë. Por këtu ekziston një divergjencë, teksa SHBA e sheh si më strategjike paqen dhe stabilizimin ekonomik të perëndimit, sesa sa fitoren ndaj Rusisë, apo nevojën e shprehur të liberalëve evropianë për të mbisunduar vlerat si demokracia, ndaj të cilës së paku kjo adminsitratë amerikane është cinike. Një luftë që për Evropën është strategjike, nga SHBA shihet më shumë si taktike. Një divergjencë kjo që e detyron gjetjen e një rruge të mesme, sepse SHBA dhe Evropa varen shumë nga njëra-tjetra .

Çka do të thotë ky ridimensionim i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhja e mundshme e luftës në Ukrainë në praktikë për Evropën dhe Kosovën? Në thelb ajo që po negociohet sot mes Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësim amerikan është vija e e re ndarëse e sferave të interesit në mes të Perendimit dhe Lindjes, me Ukrainën si “buffer state” (shtet tampon). Në rast të ndonjë marrëveshjeje e cila i kënaq aspiratat e Putinit në fqinjësi, dhe me të cilën bie dakord edhe Evropa, Ballkani qartazi “do të vendoset” në sferën e boshtit perëndimor. Kështu ndoshta mund të shohim tërheqje (së paku të përkohshme) të angazhimit antagonist rus në Ballkan së paku në nivelet e para vitit 2013.

Arritja e mundshme e një marrëveshjeje të tillë dhe konsolidimi i sferave të interesit gjithsesi do ta kufizojë hapësirën vepruese dhe do ta rrisë varësinë e shteteve të vogla nga fuqitë e mëdha të boshtit “ku na është caktuar vendi”. Kjo mbi të gjitha do të thotë jo vetëm ulje të hapësirës vepruese ashtu kështu të vogël të Kosovës, por, ç’është më e rëndësishmja, do të jetë një goditje për politikën shumëvektorëshe të Serbisë dhe një detyrim për t’u rreshtuar drejt perëndimit. Serbia e sotme e dobët nuk është as Jugosllavia e dikurshme e Titos dhe as Turqia e sotme për të luajtur lojëra balancuese, dhe loja e saj zhvlerësohet sidomos nëse Rusia “e braktis” për interesa të saja në Ukrainë.

Në boshtin e perëndimit pavarësia e Kosovës është thuajse krejt e konsoliduar dhe kjo e rritë forcën detyruese ndaj Serbisë për njohje të realitetit. Në këtë kontekst të ri peshë më të madhe për Kosovën ka synimi për anëtarësim në NATO sesa në OKB, së paku për sa kohë që OKB nuk riformatohet nga fuqitë e mëdha.

Ndërkohë që ky rend i ri për Kosovën mund t’i krijojë disa përparësi në aspektin e sigurisë, sfidë më e madhe mbetet ajo e konsolidimit të demokracisë. Duhet shpresuar se në ribalancimin e ri në mes të SHBA dhe Evropës kjo e fundit do të arrijë të ruajë autonominë e veprimit si forcë promovuese e vlerave demokratike dhe se procesi i anëtarësimit në BE do të vazhdojë të mbetet motor i transformimit demokratik në Ballkan.

Ajo që dihet është se SHBA, të paktë kjo e sotmja, nuk do të jetë forcë me ndonjë interesim të theksuar për ta shtyrë Kosovën përpara në drejtim të integrimeve evropiane apo demokracisë, por do ta ketë prioritet rreshtimin në fushën e sigurisë. Energjia për vazhdimin e transformimit demokratik dhe parandalimin e autoritarizmit duhet të vijë nga vetë ne, si pjesë e rrugëtimit drejt BE.