Skifteri si Metaforë

Kur propaganda duket si realitet dhe realiteti pranohet si gënjeshtër e zakonshme
Afrim Haliti
Loading Icons...
test12

Skifteri si Metaforë

Afrim Haliti
Loading Icons...

“Skifteri K1” u promovua me video të një kompanie kineze, dy firmat kosovare kanë veç një punëtor, u dha lajmi!

Askush nuk u çudit. Gjë që, edhe më shumë se vetë ky skandal, të lë një shije zhgënjimi të vështirë për t’u gëlltitur.

Lajmi qarkulloi nëpër rrjete siç qarkullojnë tashmë pothuajse të gjitha lajmet në këtë vend, pa ndonjë çudi apo shqetësim të madh, pa atë ndjenjën se diçka ishte shkatërruar përfundimisht, sepse siç duket gjithçka veç është shkatërruar prej kohësh e ne kemi mbetur duke i mbledhë copëzat, pa asnjë ide se çka të bëjmë me to. Dikush reagoi me humor të zi, disa e mbrojtën me atë njëanshmërinë partizane që rëndom na karakterizon si popull, dhe shumica që e lexuan këtë lajm, shkruan për të për pak minuta e pastaj thjesht vazhduan me rutinën e njëjtë me një qetësi gati indiferente që ngadalë kalon në dorëzim.

“Skifteri K1” nuk është thjesht një dron. Është metaforë dhe pasqyra më e qartë e gjendjes politike që po e jetojmë sot në Kosovë, e këtij mentaliteti ku gënjeshtra bëhet çdo ditë e më e shpeshtë, ndërsa realiteti tkurret pa u vërejtur shumë.

Skifteri realisht duket mirë në video, i frikshëm nga larg, duket si diçka me të cilën duhet të ndihemi krenarë, por sapo afrohesh, sapo fillon të shtrosh pyetje, sapo kërkon prova konkrete, gjithçka fillon të prishet ngadalë derisa të mbetet vetëm një zbrazëti që nuk është vetëm teknike por mbi të gjitha morale.

Në nëntorin e kaluar Albin Kurti na foli për sovranitet teknologjik, për shtet serioz, për kapacitete strategjike, për një epokë të re, për një Kosovë që po bëhet prodhuese e jo vetëm konsumuese, dhe shumëkush deshi me besu jo se ishte naiv, por për arsye se njeriu dikur lodhet duke mos besuar, sepse njeriu, edhe kur e di që po i shitet përralla prapë e mban diku thellë një shpresë të vogël se hajt mos kësaj here ka diçka reale, diçka që nuk është vetëm reklamë e “sukseseve”.

Pastaj shfaqen të vërtetat, jo me lajme bombastike, por përmes atyre detajeve të vogla që shkatërrojnë iluzionin më keq se çdo skandal: videoja paska qenë kineze, kompanitë qenkan dy nga Gjilani, e punëtorë gjithsej një, një punëtor që i vetëm nuk do të mund të mbante hapur as edhe një kafiteri gjithë ditën e lëre më të ndërtojë kapacitete ushtarake për një shtet që pretendon seriozitet.

Dhe në atë moment nuk të përfshin më as ndonjë zemërim e as habi, madje as nuk shokohesh sepse gjithçka rezonon çuditërisht e njohur, sikur po e shikon edhe një episod tjetër të së njëjtës sagë që po na luhet prej vitesh, vetëm se me tituj gjithnjë e më patriotik dhe me retorikë gjithnjë e më të fryrë.

Na folën për industri mbrojtjeje, ndërsa realisht na paraqitën një video kineze dhe dy kompani gjilanase më shumë për efekt sesa për funksion. Na trimëruan me shtetndërtim, e në realitet po na ofrojnë përralla të bukura, marketing emocional e fraza që shkëlqejnë në publik por që nuk kanë asnjë peshë në jetë.

Në një moment fillon ta ndjesh atë emocionin e veçantë që Camus e përshkruan tek “Miti i Sizifit”, kur njeriu e kupton se çdo ditë po e shtyn një gur përpjetë një bregu me shpresën se secilën herë ai gur do të qëndrojë atje lart por që në vazhdimësi e sheh duke u rrokullisur përsëri tatëpjetë. E megjithatë vazhdon ta shtyej çdo ditë, vazhdon jo nga optimizmi por ngase iu ka bërë rutinë, mbase edhe nga mungesa e alternativës.

Sepse kështu funksionon lidhja jonë me politikën. Çdo herë që ushqejmë pak shpresë hasim në zhgënjim të thellë e pastaj kthehemi përsëri në të njëjtin cikël, derisa zhgënjimi të shndërrohet në normë dhe kjo normë bëhet realiteti ynë i ri.

Pjesa më e dhimbshme ndoshta edhe nuk është thjesht se u përdor një video kineze, as që u mashtruam përsëri por fakti që një pjesë e madhe e shoqërisë po e pranon këtë normalitet pa asnjë reagim, pa ngulur këmbë fare për të vërtetën, dhe pa synuar fare substancën e vërtetë.

Kur fillon të na përshkojë bindja se “edhe tjerët kanë rrejtë” atëherë problemi më nuk është politik. Ai bëhet problem psikologjik, shoqëror e kulturor. Ai shndërrohet në mënyrë jetese e pastaj besa edhe mbijetese.

Skifteri, tutje nuk është më vetëm simbol i Albinit por bëhet simbol i një raporti të sëmurë mes pushtetit dhe popullit, ku njëra palë teston kufijtë e vetë të manipulimit, ndërsa tjetra se sa shumë mundet me përballu pa u shqetësu.

Kështu në vend të frikës, represionit e varfërisë në shoqërinë tonë lind ajo gjendja e rrezikshme e apatisë. Ajo gjendja ku qytetari nuk ka asnjë pritshmëri dhe nuk revoltohet më për asgjë por thjesht jeton si parazit paralelisht me shtetin.

Në këtë kuptim, Skifteri është shumë më tepër se një gafë. Ai shërben si reflektim. Ajo që ne si qytetarë perceptojmë brenda tij nuk është dron, por një shoqëri e kushtëzuar që pranon nivele gjithnjë e më të ulëta të së vërtetës, dinjitetit e shpresës.

Në fund të fundit, gënjeshtra më e rrezikshme nuk është ajo që ju mashtron për momentin por ajo që të mëson të mos presësh më asgjë reale nga askush.

Kur vjen ky realitet, shoqëria tretet ngadalë në heshtje, në apati, në lodhje dhe në një normalitet ku mashtrimi bëhet normë dhe rutinë e përditshme.