

Ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës në Bruges, së bashku me Stefano Sannino-n, Sekretar i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në periudhën 2021–2024, si dhe Cesare Zegrettin, bashkëdrejtor i zyrës së trajnimit, u ndaluan në Belgjikë me kërkesë të Prokurorit Publik Evropian (EPPO).
Hetimi lidhet me mashtrim të dyshuar në prokurimin publik, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.
Të tre u liruan mbrëmjen e së njëjtës ditë. Sipas Policisë gjyqësore federale belge, ata u informuan për akuzat pas marrjes në pyetje, por nuk u mbajtën në paraburgim, për shkak se nuk konsiderohen rrezik arratisjeje. Mogherini, pas dhjetë orësh marrje në pyetje, rifitoi pasaportën dhe lëviz lirshëm.
Objekti i hetimit është financimi nga EEAS i Akademisë së re Diplomatike të BE-së, një program trajnimi i zhvilluar nga Kolegji i Evropës, ku Mogherini shërben si rektore dhe drejtuese e programit. EPPO dyshon se Kolegji ose drejtues të tij kanë pasur informacion paraprak për kriteret e tenderit dhe se zyrtarë të EEAS mund ta kenë favorizuar atë para publikimit zyrtar.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me OLAF dhe, sipas njoftimeve, Komisioni Evropian ka hequr imunitetin e disa personave të përfshirë.
Në institucionet e BE-së, lajmi u prit fillimisht me tronditje dhe pastaj me heshtje. Paralajmërimet për deklarata të kujdesshme lidhen edhe me përvojat e hidhura të hetimeve të fundit, si QatarGate dhe HuaweiGate, të cilat prodhuan shumë zhurmë, por pak rezultat gjyqësor.
Për momentin, të gjithë të dyshuarit janë italianë, megjithëse termi “Italian Job” u përdor nga hetues belgë, sipas burimeve të brendshme, duke shtuar edhe më shumë atmosferën e dyshimit dhe ironisë burokratike.
Komisioni Evropian ka sqaruar se çështja lidhet me periudhën kur Josep Borrell ishte Përfaqësues i Lartë, ndërsa Ursula von der Leyen drejtonte Komisionin. Universiteti i Bruges ka deklaruar gatishmëri për bashkëpunim, duke kërkuar transparencë të plotë.
Partitë kryesore evropiane, nga PPE te Socialistët e Liberalët, kanë refuzuar të komentojnë, duke pritur sqarime më të plota. Parlamentit Evropian nuk i atribuohet asnjë rol në këtë rast, çka e rrit edhe më shumë dimensionin institucional të hetimit: protagonistët janë EEAS dhe Kolegji i Evropës.
Brenda EEAS qarkullon edhe një teori politike: hetimi shpërthen pikërisht teksa Belgjika kundërshton përdorimin e aseteve të ngrira ruse si garanci kredie për Ukrainën, duke e vendosur vendin nën një presion të drejtpërdrejtë nga disa institucione të BE-së. Prandaj disa flasin për një skenar të mundshëm diskreditimi.
Nga ana tjetër, reagimi i menjëhershëm rus ishte i pritshëm. Zëdhënësja Maria Zakharova deklaroi se BE “mbyll sytë ndaj korrupsionit të vet, ndërsa jep leksione të moralit”, duke kthyer arrestimin në argument propagande. Reagime të ngjashme erdhën nga forcat pro-ruse në Evropë, nga M5S dhe Lega në Itali, deri te qeveria hungareze.
Sipas EPPO-s, Sannino, si Sekretar i Përgjithshëm i EEAS, mund të ketë favorizuar Kolegjin e Bruges duke i transmetuar paraprakisht të dhëna mbi tenderin për Akademinë Diplomatike. Me këtë informacion, Kolegji bleu një ndërtesë në Spanjaardstraat, me vlerë 3.2 milionë euro, pikërisht ndërtesën që më pas rezultoi thelbësore për fitimin e projektit.
Dokumentet e tenderit kërkonin një strukturë që mund të akomodonte diplomatët gjatë kursit. EPPO dyshon se Kolegji e bëri blerjen disa muaj përpara se kriteret të publikoheshin zyrtarisht, duke pasur akses të padrejtë në informacion konfidencial.
Blerja e ndërtesës është sot element qendror i akuzës. Ndërtesa përdoret aktualisht për strehimin e diplomatëve të rinj të BE-së që ndjekin programin, i cili u bë i përhershëm në vitin 2024 me një kontratë katërvjeçare dhe buxhet vjetor rreth 700 mijë euro.
Emërimi i Mogherinit në krye të Kolegjit të Evropës në vitin 2020 ishte vetë objekt debatesh për konflikt interesi, pasi Komisioni financon një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të institucionit. Komisioni i Etikës madje kufizoi kompetencat e saj në menaxhimin financiar.
Skandali i ri e vendos sërish Brukselin nën dritën e hetimeve anti-korrupsion, duke ringjallur kujtimet e QatarGate dhe HuaweiGate, që ende nuk kanë prodhuar dënime. Gjyqi i QatarGate nuk ka nisur dhe ka pasur dyshime serioze për abuzime procedural nga prokurori Michel Claise.
Kjo është arsyeja përse shumë pyesin:
-A duhej vërtet një operacion spektakolar arrestimesh për një kontratë prej rreth 600 mijë eurosh?
-Apo EPPO kërkon të ruajë profilin publik pas largimit të shefes Laura Kövesi?
-Apo, siç aludojnë disa zyrtarë të EEAS, po shohim dorë të interesave të jashtme, përfshirë ato ruse?
Sipas rrjedhjeve nga EPPO, Mogherini ka dhënë shpjegime të plota, duke këmbëngulur se gjithë procedura ka qenë transparente. Ajo ka deklaruar se të gjitha informacionet mbi projektin pilot ishin publike dhe se nuk është përdorur asnjë e dhënë konfidenciale.
Për blerjen e ndërtesës, ajo ka argumentuar se vendimi ishte i pashmangshëm për shkak të kërkesave të njohura të projektit. Kolegji, sipas saj, nuk kishte nevojë për informacione të brendshme.
Ashtu si në skandalet e mëparshme, edhe këtu rreziku më i madh është imazhi i BE-së. Arrestimi i figurave të nivelit të lartë në diplomacinë evropiane e ushqen narrativën e euroskepticizmit, ndërsa proceset gjyqësore në Belgjikë shpesh zgjasin shumë dhe përfundojnë në pafajësi.
Se si do të zhvillohet hetimi i EPPO-s, mbetet për t’u parë. Në çdo rast, historia sapo ka filluar dhe goditja prek një nga nyjat më të ndjeshme të arkitekturës së BE-së: besueshmërinë e saj morale dhe institucionale.
(Autorja është Drejtoreshë e Departamentit web tvklan.al)