Republika pa opozitë dhe beteja për ta shpikur atë nga e para

Në Shqipëri nuk po votohet për të ndërruar pushtetin, por për të krijuar më në fund një opozitë që mund ta përfaqësojë vendin. Dhe kjo nuk bëhet as si Macron, as si Vetëvendosje, as si Syriza e Greqis...
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Republika pa opozitë dhe beteja për ta shpikur atë nga e para

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Në Shqipëri nuk po votohet për të ndërruar pushtetin, por për të krijuar më në fund një opozitë që mund ta përfaqësojë vendin. Dhe kjo nuk bëhet as si Macron, as si Vetëvendosje, as si Syriza e Greqisë, por si një rrugë që ndërtohet me ide, jo me inate

Në Francë, Emmanuel Macron erdhi si meteor në politikë. Një figurë teknokrate, pa parti, pa rrënjë ideologjike të forta, por me një projekt të qartë dhe me guximin për të mos qenë as e majtë, as e djathtë.

Ai nuk luftoi për të rrëzuar një pushtet, por për të zëvendësuar një sistem të stërkonsumuar.

Fitoi në më pak se dy vjet përgjatë rrëfimit të tij politik, sepse nuk iu lut zemërimit, por arsyes. Nuk kërkoi të ringjallte të shkuarën, por të shpikte një të ardhme që funksionon. Dhe ai ndërtoi rrëfimin.

Në Kroaci, Partia Civile fitoi. Ajo fitoi jo sepse bërtiti më fort, por sepse punoi më gjatë. Një grup qytetarësh, aktivistësh dhe teknokratësh ndërtuan për vite një lëvizje që nuk premtonte revolucion, por qeverisje normale. Nuk ishte emocion, por projekt. Nuk ishte shpërthim, por përgatitje. Dhe në fund, njerëzit ia besuan votën pikërisht sepse nuk i tunduan emocionet, por iu folën mendjes.

Në Kosovë, Vetëvendosje lindi si protestë. Syriza në Greqi u rrit si zemërim dhe fitoi si ndëshkim.

Fati i Vetëvendosjes nuk është domosdoshmërisht model, sepse shfrytëzoi me mjeshtëri dhimbjen kolektive, por nuk ndërtoi dhe po dështon të krijoi një filozofi qeverisëse afatgjatë. Fitoi jo sepse përfaqësoi një alternativë të re, por sepse dinte si të përfaqësonte kundërshtimin ndaj të gjithëve në një moment kur kishte një krizë në Evropë dhe një stagnim në jetën politike në Kosovë.

Në Shqipëri sot, opozita nuk ekziston si institucion. Ekzistojnë disa figura që nuk përfaqësojnë dhe një opinion publik që nuk i beson më askujt. Prandaj, ishte gjetje fraza e Blendi Kajsiut në shpjegimin e zgjedhjeve të 11 majit.

“Ndaj 11 maji nuk është një përballje për të marrë pushtetin, por një moment për të shpikur opozitën”.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që zgjedhjet të jenë kaq pa dyshim për fituesin e qeverisë, por kaq të paqartë për fatin e opozitës. Dhe ky është një rast i rrallë për të kuptuar thelbin e një krize që ka dekada që gërryen politikën shqiptare nga brenda dhe shihet qartë dhe në thelb mungesa e një opozite që përfaqëson shpresën dhe jo nostalgjinë.

Edi Rama do të fitojë zgjedhjet. Kjo është e parashikuar dhe e kuptueshme. Por nuk do t’i fitojë sepse ka bërë gjithçka mirë, por sepse nuk ka kush tjetër përballë që bind se do të bën më mirë.

Ai është në pushtet jo vetëm nga forca e vet, por nga dobësia e të tjerëve.

Sepse Sali Berisha nuk është më opozitë, është një e shkuar që refuzon të tërhiqet. Dhe votuesit e dinë këtë. E ndjejnë këtë. Ndaj nuk janë të etur për një fitore të opozitës, por për një lindje të saj të re.

Dhe kjo është ajo që po ndodh: një përpjekje për të imagjinuar një opozitë ndryshe. Por si ndërtohet ajo? Nuk ndërtohet me statuse Facebook-u. Nuk lind nga urrejtja ndaj Ramës, por nga një dashuri për një Shqipëri që mund të bëhet më mirë. Nuk ndërtohet mbi moralizime, por mbi institucione. Dhe mbi një përballje të sinqertë me pyetjen: çfarë do të thotë të jesh opozitë?

Të jesh opozitë nuk është të bërtasësh më shumë, por të kuptosh më thellë. Të jesh opozitë nuk është të jesh anti-Rama, por të jesh për një Shqipëri që funksionon ndryshe. Të jesh opozitë nuk është të veshësh rrobat e vjetra të zhgënjimit, por të ndërtosh një kostum të ri për përfaqësimin publik.

Në këtë betejë për të shpikur opozitën, partitë e vogla nuk duhet të jenë zëra të çrregullt të pakënaqësisë, por gurët e parë të një strukture që mund të mbajë peshën e një shoqërie moderne. Ato duhet të flasin për reforma, për drejtësi, për ekonomi reale, për dinjitet qytetar – jo për hakmarrje, jo për pazare.

Sepse në fund, Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër Berishë me fytyrë të re, as për një tjetër Rama me zë tjetër. Ka nevojë për një politikë që e thotë të vërtetën pa ulërimë, që e kërkon ndryshimin pa dhunë dhe që e ndërton të ardhmen pa nostalgji.

Opozita nuk vjen vetë. Ajo duhet shpikur. Dhe kjo është beteja e vetme që ia vlen të zhvillohet më 11 maj. Dhe çdo ditë pas saj.

Mund të nxjerrë një lider të ri, që nuk ka lidhje me mitologjitë e vjetra, që nuk mban krah askujt përveç publikut. Një lider që nuk vjen nga partia, por e bën partinë të vijë nga ai – siç ndodh në kohë të jashtëzakonshme.

Por nëse PD nuk e bën asnjërën , as tërheqjen, as rilindjen, atëherë do të ndodhë një përkeqësim i heshtur. Ajo do të mbetet aty ku është, një parti që ekziston pa kuptim, që rri pa peshë, që flet por nuk përfaqëson.

Dhe në këtë vakum të madh lind një pyetje më e thellë: Kush do ta përfaqësojë Shqipërinë e re?

Jo thjesht opozitën, por vetë shtresën që mendon, punon dhe kërkon dinjitet në një vend që po afrohet me Evropën më shumë për shkak të shqiptarëve jashtë sesa politikës brenda.

E ardhmja e Shqipërisë nuk është një lider. Është një vizion. Dhe votuesit më 11 maj nuk do të zgjedhin vetëm përfaqësues , do të zgjedhin ose do te presin se cilën të ardhme duan të fillojnë të ndërtojnë.

Dhe për kë janë gati ta ndërpresin të shkuarën.