Populizmi me Kosovën – Një anije që vetëfundoset

Nga federata te qeveria, të gjithë i dhanë një dorë populizmit vetëshkatërrues të përfaqësues së Kosovës Përfaqësuesja e Kosovës u shndërrua në një “meme” ndërkombëtare, mes mbështetësve të futbollit ...
Romario Ismailaj
Loading Icons...
test12

Populizmi me Kosovën – Një anije që vetëfundoset

Romario Ismailaj
Loading Icons...

Nga federata te qeveria, të gjithë i dhanë një dorë populizmit vetëshkatërrues të përfaqësues së Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës u shndërrua në një “meme” ndërkombëtare, mes mbështetësve të futbollit në mbarë botën për braktisjen e ndeshjes me Rumaninë në Nations League, të cilën sot, me vendimin më të fundit të UEFA-s, e humbi 3 me 0 në tavolinë.

Braktisja e një ndeshjeje futbollit kurrsesi nuk është një lajm i mirë për vetë lojën. Dhe, nëse ajo bëhet në kushtet si ajo mbrëmje në Bukuresht, atëherë futbolli, sporti më i ndjekur në planet, do i ketë ditët e numëruara.

Kosova, si një ekip i ri në FIFA, i pranuar vetëm disa vite më parë, nuk mundet që thjesht të braktisë një ndeshje sepse pati “kore raciste” sipas Federatës së Futbollit në vend (FFK).

Futbolli nuk i shpëton dot nacionalizmave, sidomos kur përfshihen sektorët ultras, aty ku thirrjet mund të konsiderohen si gjeja më e pakët.

Të braktisësh një ndeshje vetëm një minutë para përfundimit të saj zyrtar ngre shumë pikëpyetje.

Kosova është përballur edhe më herët me një situatë të tillë, thirrje kundër, si dhe harta të saj me flamurin e Serbisë, por a duhet të shkonte deri në këtë pikë situata?

Veprimi i lojtarëve “dardanë” ishte i nxituar, pasi futbolli elitar është një lojë që luhet me rregulla. Kjo, duam apo nuk duam ne, si përkrahës të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte ndër të parët që përgëzoi dhe takoi ekipin kombëtar. Ndër fjalët e shumta, ai tha: “Ai është qëndrim parimor (braktisja e ndeshjes), i drejtë e dobishëm edhe për Kosovën, futbollin e secilin qytetar të vendit tonë që është ndjerë i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitetit Amir Rrahmani”.

Në fakt, për futbollin vendimi nuk është aspak i drejtë e i dobishëm. Këtë e konfirmoi vendimi i UEFA-s me humbjen 3 me 0 në tavolinë.

Por, vendimi shkon përtej një humbjeje me zero ndikim, pasi fushata e Nations League përfundoi dhe Kosova siguroi vendin e dytë. Këtu futet në lojë edhe imazhi dhe serioziteti i një ekipi si Kosova.

Tani që UEFA vendosi në favor të tyre, rumunët po shpalosin çdo gjë kanë në duar për të “ndotur” imazhin e Kosovës.

“Ata po hanin pica dhe ne po qëndronim në të ftohtë”, tha Gino Iorgulescu, kreu i ligës rumune të futbollit, pas vendimit të UEFA-s.

Shpesh ekipet e vogla kanë probleme për t’u shfaqur në lajmet kryesore botërore, por të braktisësh ndeshjen kur ka mbetur vetëm një minutë, sigurisht që kap ballinat, por vetëm se ato u arritën duke mbajtur krahun e gabuar.

Kosova gjithashtu bëri xhiron e botës, me tifozët dhe mediat sociale që nuk falin dhe e shndërruan përfaqësuesen “mendjendritur” “dardane” në një “meme” ndërkombëtare, pasi takimi u braktis duke qenë në shifrat 0-0 dhe atyre iu duhej një fitore 3-0 për të arritur vendin e parë në grup. Një fitore që, sipas “memeve”, në ato kushte mund të arrihej vetëm duke braktisur takimin dhe ta fitonin në tavolinë.

Kjo në fakt, u shpreh gjerësisht edhe në opinionin futbollistik rumun. Ata e cilësuan braktisjen e ndeshjes si të “mirëmenduar” nga ana e Kosovës, për arsyen e mësipërme.

Duke vijuar deklaratën para futbollistëve, Kurti u shpreh me fjalët e kapitenit Rrahmani pas ndeshjes: “Të gjithë duhet të dinë se Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri, kaq, këtu mbaron”.

Në fakt, këtu nuk mbaron.

Gazetari Halil Matoshi e shpjegoi më saktë këtë deklaratë të Rrahmanit, që u përforcua nga Kurti, e cila mund të përmblidhet shkurtimisht me fjalët: “Nëse i thua Rumanisë që Kosova është Shqipëri”, këtu futesh në probleme politike dhe është paksa rruga jo e duhur për t’i kërkuar rumunëve që të “të njohin si shtet të pavarur”.

Populizmi që karakterizoi politikën, opinionin publik dhe atë sportiv në Kosovë, rezultoi një rrugë “T” (rrugicë qorre), në të cilën u përplas.

Por, le të mbetemi te futbolli.

Nëse i kthehemi dhe paralelizojmë sfidën famëkeqe Serbi – Shqipëri me atë Rumani – Kosovë, dy ndeshje të braktisura, por aq larg njëra-tjetrës.

Tifozët serbë në atë rast, përpos thirrjeve “vritini shqiptarët”, u futën në fushën e blertë dhe dhunuan lojtarët kuqezi. Dhe, në këtë rast, braktisja e një ndeshjeje bëhet një lloj detyrimi për një ekip, duke qenë se jeta e lojtarëve dhe stafit vihet në rrezik.

Por, ajo ndeshje në Bukuresht…

Për braktisjen e ndeshjes në Bukuresht, lojtarët u pritën si heronj në Prishtinë. Shumë nxituan ti përgëzonin këta “luftëtarë të rinj të lirisë”. Ishte si të kishin sjellë çlirimin e dytë të Kosovës, por se nga kush, kjo ende nuk i dihet.

Nëse lojtarët vepruan në gjaknxehtësi apo në mënyrë të pamatur, FFK-ja duhet të ishte aty për të penguar një situatë të tillë.

Federata Rumune tha pas ndeshjes se nuk ka pasur thirrje raciste, por edhe ato të tipit “Kosova është Serbi” nuk konsiderohen raciste, sipas një vendimi të mëparshëm të UEFA-s.

Vendimi i sotëm e përforcoi këtë fakt. Thirrjet “Kosova është Serbi” apo “Serbi, Serbi” në ndeshjet kur luan Kosova nuk konsiderohen raciste për UEFA-n, me sa duket.

Kushdo që e pa vendimin e sotëm të UEFA-s në asnjë resht nuk përmendej se kishte thirrje raciste në stadium.

FFK-ja mbase do të jetë më mirë të konsiderojë një nismë të re, që në të ardhmen thirrjet “Kosova është Serbi” të dënohen më ashpër, për shkak të historisë që përfaqësojnë, por jo të miratojë një braktisje të ndeshjes, aq me pak kur kushtet nuk ishin të duhurat.

Ndeshja tani u humb, siç gjerësisht pritej dhe imazhi i ekipit u vu në diskutim. FFK-së i ka mbetur vetëm të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), por edhe aty lajmet nuk pritet të jenë të mira.

Dhe, siç tha trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu, pas vendimit të UEFA-s: “Turpi i mbetet Kosovës”.