Përgjigje Albin Kurtit: Nata e frikës në Mitrovicë

Gabimi i Exit Poll-it në Mitrovicë ishte njerëzor, por reagimi i Kryeministrit e ktheu atë në betejë politike. Problemi nuk është te sondazhi, por te klima e frikës që hesht votuesit
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Përgjigje Albin Kurtit: Nata e frikës në Mitrovicë

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Ne, ekipi që kemi realizuar matjen për Albanian Post, dhe T7 si transmetues, marrim përgjegjësinë për rezultatet e Exit Poll-it në Mitrovicë. Gabimi është njerëzor. Ai lidhet me një moskoherencë momentale në deklarimin e votuesve, aty ku disa zëra heshtën, disa u shmangën, e disa e morën pyetjen si provë besnikërie politike. Kaq është e vërteta. Dhe s’ka pse të dramatizohet.

Por ajo që ndodhi më pas, ishte shumë më e madhe se vetë gabimi. Kryeministri i Kosovës e ktheu një pasaktësi statistikore në armë politike, në mënyrën më tipike të pushtetit që frikësohet nga matja reale e opinionit. Ai foli për komplot, për organizim, për gabim të qëllimshëm, sikur qytetari në Mitrovicë të kishte hyrë në një skemë të madhe mashtrimi për t’i fshehur fitoren. Në fakt, ai vetë e kishte ndërtuar klimën ku matja nuk mund të dilte ndryshe.

Sepse në Kosovën e tij, votuesi nuk është i lirë të flasë. Ai është i matur, i vëzhguar, i frikësuar mos po i shkon fjala në vend të gabuar. Dhe në atë atmosferë, nuk matet vota, matet frika. Në Mitrovicë, ajo frikë doli statistikisht e dukshme dhe jo si mungesë profesionalizmi, por si pasojë politike.

Në fakt, vetë Kryeministri, me shpurën e tij, kishte qëndruar deri në katër të mëngjesit në Zhabar e Shipol, për t’i bindur banorët nën trysni e frikë, me atë mënyrën tipike të pushtetit që përzien ndikimin me përuljen. Aty nuk mund të matej bindja e lirë, por presioni, dhe aty humbi jo Exit Poll-i ynë, por vota e lirë.

Kështu, Kryeministri mori një shkarje në rezultatin përfundimtar të Exit Poll-it dhe e shndërroi në fitore morale. Ai bëri pikërisht atë që bën çdo pushtet kur ndjen krizë: shpik armik për të treguar se ende ka betejë. Ai gjeti fajtorin më të lehtë, sondazhin, median, numrat, sepse nuk mund t’i gjejë dot përgjigjen vetes pse njerëzit s’e besojnë më me të njëjtin entuziazëm.

Në fund, çështja s’është pse Exit Poll-i gaboi në Mitrovicë, por pse në Mitrovicë e vërteta e votuesit nuk arriti të matej, sepse nuk u tha. Kur një shoqëri arrin aty, nuk është më problemi i anketuesit, por i klimës që e prodhon heshtjen.

Dhe ndoshta këtu fshihet ironia më e madhe: që për të mbuluar krizën e vet, një lider është gati ta shpallë edhe gabimin tonë si fitore të vetën. Por fitorja që lind nga frika e së vërtetës, është humbja më e sigurt.