

Disa virtyte janë vështirë të falsifikueshme. Guximi është një prej tyre. Të jesh i guximshëm do të thotë të dalësh para turmës së tërbuar, duke ditur plotësisht pasojat personale, dhe të thuash atë që beson, ta shohësh xhindosjen e masës pasi ua baltosë tempullin e shenjtë dhe të mos ia mbathësh. Guxim nuk është ngjitja në vagonin e njëqindegjashtëmbëdhjetë të trenit delirioz me biletë njëdrejtimëshe për humnerë.
Patriotizmi është një tjetër virtyt që vështirë falsifikohet. Nuk ka patriotizëm pa sakrificë vullnetare, pa vetë-rrezikim, pa lëkurën tënde në lojë. Mbajtja e virtyteve gjithmonë vjen me kosto. Për patriotin ajo kosto mund të jetë e shumëllojshme. Për disa patriotë çmimi është jeta, për disa liria, për disa mirëqenia. Patriotizmi e guximi nuk mund të falsifikohen, pra nuk mund të jenë performative. Patriotizmi performativ, në fakt, është një karikaturë e virtytit të cilin tenton ta imitojë. Një çerek shekulli pas influksit të madh të patriotëve të vërtetë, paradigma shoqërore mbi këtë virtyt ka ndryshuar. Zëvendësimi i sakrificës nga simbolika, përmes ekuivokacionit, patriotizmin në shoqërinë tonë e ka ridefinuar në versionin pervers performativ të tij.
Në paradigmën e re, patriotizmi është falas. Çfarë mrekullie! Shërimin e këtyre lebrozëve patriotikë mund ta shesë vetëm dikush që i ngjan mashtruesve televangjelistë të megakishave–një telepatriot. Telepredikuesi Kurti e shet këtë iluzion. Nuk ka nevojë të dalësh në front, të sakrifikosh, madje as të lidhesh ekzistencën tënde fizikisht me Kosovën për të qenë telepatriot. Mjafton që të jesh pjesë e vagonit të njëqindegjashtëmbëdhjetë të megakishës telepatriotike. Kurti nuk shet zhvillim, mirëqenie apo emancipim; ai shet ndjenja. Kur Hamdiu ia jep votën ose e vendos fytyrën e telepatriotit në kofano të veturës ose e thërret ‘babë’, ai merr pjesë në ritualin e patriotizmit performativ.
Si u ndërtua megakisha telepatriotike? E thjeshtë. Ajo përdori kompleksin e inferioritetit patriotik që shumë njerëz patën kur u ndeshën me ata që guxuan. Me ndryshimin e madh shoqëror të fillimshekullit, këta njerëz lemerinë e tyre e shndërruan në përbuzje për kurajozët. Ata shëruan kompleksin e tyre duke relativizuar virtytin, duke vendosur një “por” pas çdo pranimi të sakrificës vullnetare të dikujt. Tregimet relativizuese u ndërtuan mbi njëra tjetrën për shumë vite. Kjo është arkitektura e megakishës telepatriotike. Por kisha nuk është funksionale pa një predikues.
Çka predikoi Kurti? Predikuesi mizantrop vendosi maskën kombëtariste e hyri në këtë kompleks të errët të kompleksuarish dhe shpërndau errësirë si ushqim. Ai ua konfirmoi tregimet dhe ndërtoi të tjera mbi ato. Ai u tha këtyre njerëzve se ata ishin heronjtë e vërtetë, përkunder faktit që ata heroizmin e mirëfilltë e urrenin. Duke blerë një copëz të Kurtit, ata blinin një copëz virtyti.
Distanca rrit efikasitetin. Ligjërimi telepatriotik nuk i përmbahet ligjeve të fizikës. Graviteti, intensiteti i dritës dhe forca elektrostatike zvogëlohen me katrorin e distancës por efikasiteti i ligjërimit telepatriotik rritet nga largësia. Largësia mundëson mirëmbajtjen e iluzionit pa kontakt me realitetin. Si rezultat, Kurti e gjeti suksesin më të madh të tezës performative telepatriotike në diasporë. Ai fillimisht i heroizoi ata. Patjetër që njerëz të diasporës kanë kontribut patriotik, por kreditë nuk shpërndahen në grup, ato janë të përvetëshme. Kurti nuk e bëri këtë dallim. Secili në Cyrih, Nju Jork e Shtutgart ishte patriot. Një grup me përbërje të madhe individësh që optimizuan për të mirën personale, ai e shpalli të virtytshëm falas, pa sakrificë vullnetare. Ai pastaj dha formulën për mirëmbajtje të këtij statusi. Telepatriotizmi nënkupton luftën ndaj ndërtuesve shkatërrimtarë dhe çlirimtarëve shtypës. Telepatriotizmi nënkupton mbushjen me flamuj të vagonit të njëqindegjashtëmbëdhjetë dhe vandalizimin e secilit tren tjetër.
Dy diaspora. Në një forum virtual më kujtohet një diskutim ku, ndër të tjerë, merrte pjesë një nga shqiptaro-amerikanët e batalionit Atlantiku dhe një zonjë nga diaspora. Për të ilustruar virtytin e pamohueshem patriotik, zonja nga diaspora në një moment thotë “Unë jam shumë patriote, në dasma gjithmonë vishem kuq-e-zi”. Çka të thuash më shumë? Stolisja me elemente kombëtare është shumë më e dukshme jashtë trojeve shqiptare se brenda. Me të dalur nga zyra e azilkërkimit, vendoset shqiponja në qafë e vizatohet në trup. Ky është thjesht mekanizëm kompensimi. Patriotët vetë-sakrifikues si ai zotëriu i Atlantikut apo dikush si Vllaznim Xhiha kanë tjetër ide për simbolikat e tilla. Simbolika është thjesht mjet për sinjalizim brenda grupit. Virtytet e pafalsifikueshme nuk kanë nevojë për sinjalizim.
Fëmijët e altarit. Ligjërimi i patriotizmit performativ nuk shënjezon vetëm diasporën. Ai targeton në theks të veçantë edhe të rinjtë brenda Kosovës. Në paradigmën e patriotizmit performativ është esenciale të luftohet armiku i brendshëm, ai i cili nuk e vesh ngjyrën e kuqe me krenari. Patriotizmi performativ mëson fëmijët e altarit që ta quajnë veten “Lëvizja”, pra të mos vendosin cilësim mbi atë se çfarë lëvizje janë. Ka vetëm një lëvizje! Sakrifica për Lëvizjen është sakrificë kombëtare!
Realiteti. Një subjekt politik nuk mund të ketë monopol mbi patriotizmin, thjesht monopol mbi variantin performativ të tij. Të jesh patriot do thotë të rrezikosh veten, të guxosh për kolektiven, të sakrifikohesh vullnetshëm. Nuk mund të bëhesh patriot duke vizatuar një tik brenda një kutie në fletëvotim, duke vendosur një shqiponjë në qafë, apo duke luftuar nën maskën e profilit fallco. Disa virtyte janë vështirë të fabrikueshme, patriotizmi është njëri prej tyre.
Paradigmat nuk janë të përjetshme. Ato ndërtohen ngadalë dhe rrëzohen shpejt, zakonisht kur realiteti bëhet i pamundur për t’u injoruar. Megakishat mbeten funksionale vetëm për aq kohë sa besimtarët nuk e vënë në pikëpyetje predikuesin. Momenti i kthjellimit vjen kur dikush nga vagoni i njëqindegjashtëmbëdhjetë pyet: çka është ndërtuar përveç narrativës? Çka është sakrifikuar përveç të tjerëve? Kur përgjigjet mungojnë, performanca zbulohet si ajo që është, performancë pa substancë. Patriotizmi i vërtetë nuk ka nevojë për megakisha; ai kërkon vetëm njerëz që guxojnë të shohin qartë dhe të veprojnë sipas asaj që shohin.