Numrat serikë që rrëzojnë shtypshkronjën

Mitrovica nuk është “gabim teknik”. Është tregues i një ndërhyrjeje që kërkon transparencë dhe rivotim
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Numrat serikë që rrëzojnë shtypshkronjën

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Kam punuar me shtypshkronja që nga mosha 23 vjeçare. Kam qenë pranë makinave të shtypit kur bobinat e letrës lëviznin mbi cilindra metalikë, kur pllakëzat e aluminit mbartnin faqet e para të gazetave të asaj kohe, dhe kur ngjyrat e mprehta të mëngjesit i jepnin formë fjalës së shkruar. Kam parë makina të ndalen papritur, kam parë operatorët të ndërhyjnë, të rikalibrojnë, të riprogramojnë. E di si duket gabimi teknik. E di edhe kur nuk është gabim.

Pikërisht për këtë, kur pashë fletët e votimit në Mitrovicë me të njëjtin numër serik, nuk pashë defekt. Pashë shkelje të kontrollit. Numri serik në një fletëvotim është identifikues unik. Është vula që e bën secilën fletë e vetme në qarkullim. Është mekanizmi që ruan integritetin e kutisë së votimit. Pa të, vota nuk dallon origjinën. Pa të, çdo fletë mund të jetë e çdo kujt.

Numrat serikë gjenerohen nga një softuer sigurie, në rend të saktë progresiv, i audituar dhe i gjurmueshëm. Në rast defekti, makina e shtypit ndalon. Fleta hiqet. Procesi vazhdon me numrin pasues. Makina nuk prodhon kurrë disa fletë të ndryshme me të njëjtin numër serik.

E lexova reagimin e shtypshkronjës sllovene. Ata e quajnë “gabim teknik”. Nuk dua t’ua mohoj përvojën dhe reputacionin në prodhimin e dokumenteve të sigurisë. Mirëpo, për të qenë i drejtë, nuk jam mbështetur vetëm në përvojën time ndër vite mes shtypshkronjave.

Ka edhe një rrethanë tjetër që e bën këtë situatë të kërkojë edhe më shumë transparencë. Brenda disa javësh, Kosova hap tenderin për printimin e pasaportave biometrike. E njëjta kompani sllovene ka të drejtë të marrë pjesë në këtë garë. Prandaj, deklarata e tyre për një “gabim teknik” duhet të sqarohet deri në fund, jo për të ndëshkuar dikë, por për të garantuar se besimi publik në dokumentet e identitetit të shtetit mbetet i paprekur.

Asnjë kompani që prodhon dokumente sigurie nuk duhet të mbështetet vetëm te reputacioni i saj për të qenë e besueshme. Ajo duhet të demonstrojë saktësinë në praktikë, sidomos kur bëhet fjalë për fletëvotime, të cilat janë baza e legjitimitetit politik. Dhe pikërisht sepse kjo kompani mund të konkurojë për një tender të rëndësishëm të shtetit, transparenca e plotë nuk është opsion etik, është detyrim profesional.

Kam folur me ekspertë të kësaj fushe. Me njerëz që punojnë përditë me printim sigurie, kodim seri-progresiv dhe auditim të tirazheve zgjedhore. Ata më shpjeguan këtë gjë, secili ndarazi dhe pa u njohur mes vete: nëse gabimi është teknik, ai shfaqet në të gjithë tirazhin. Nëse gabimi shfaqet vetëm në një qytet, atëherë nuk është defekt makinerie. Është ndarje e veçantë e printimit ose ndërhyrje në seri.

Ky është shpjegim profesional.

Jo interpretim politik.

Jo hamendje.

Jo pasion.

Dhe fakti është ky: gabimi shfaqet vetëm në Mitrovicë.

Jo në Prishtinë.

Jo në Ferizaj.

Jo në Gjilan.

Jo në komuna të tjera ku rezultati ishte i qartë dhe i pakontestueshëm.

Vetëm në qytetin ku rezultati ishte i ngushtë.

Vetëm aty ku gara kishte peshë politike dhe simbolike.

Vetëm aty ku exit-polli devijoi rëndë.

Tre përputhje të tilla nuk janë rastësi. Janë model. Por këtu nuk ka nevojë të thuhet asgjë e madhe. As të bërtitet. As të dramatizohet. Çështja nuk është politike. Është procedurale.

Standardi ndërkombëtar është i qartë: nëse disa fletëvotime nuk mbajnë të njëjtin numër serik, kutia është e komprometuar. Kur kutia është e komprometuar, rivotimi është detyrim administrativ. Jo kërkesë e një pale. Jo favor për tjetrën. Jo çështje nervi. Është thjesht ruajtje e besimit në proces.

Prandaj nuk ka nevojë për polemika. Ka vetëm një hap të qetë, të drejtë dhe të domosdoshëm: Të hapen kutitë. Të verifikohen numrat serikë. Nëse konfirmohet përsëritja, procesi rifillon.

Demokracia nuk e mbron askënd nga humbja. Por e mbron gjithmonë votën nga dyshimi. Nëse ka të vërtetë, ajo del. Nëse ka gabim, ai korrigjohet. Nëse ka ndërhyrje, ajo ndalet.

Sepse në fund, numrat nuk gënjejnë. Politika po.